“Malasyan Airlines”, raporti: Avioni u godit nga një raketë ruse
Avioni Boeing 777 i Kompanisë “Malasyan Airlines” në Ukrainë është sulmuar nga një raketë ruse e tipit “Buk”...

Raporti është publikuar nga Bordi i Sigurisë së Aviacionit në Holandë. Megjithatë, deklarata zyrtare nuk përcakton se mbi kë bie përgjegjësia e vrasjes së 289 personave që ndodheshin në bord.
Ekspertët mendojnë se ky është një akt i militantëve separatistë, të cilët mund të kenë menduar se bëhej fjalë për një avion ushtarak ukrainas.
Qeveria ruse e ka vënë në dyshim hetimin, duke thënë se grupi i investigimit nuk pranoi të bashkëpunonte me Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil përgjatë gjashtë muajve të parë pas përplasjes. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se Rusia ishte shteti i vetëm që pranoi të jepte materialet e filmuara nga satelitët.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin informacione të ngjashme, por refuzuan që t’i bënin publike.
Në bazë të një hetimi të pavarur, Moska ka fajësuar Ukrainën për tragjedinë, duke nënvizuar faktin se ushtria ruse, në kohën që ndodhi sulmi nuk ishte e pajisur me raketa “Buk”.
