Studeniçan, rinovohet tërësisht rezervuari i ujësjellësit
Komuna e Studeniçanit në bashkëpunim me "Milieu Kontakt"-Maqedoni dhe me Shoqatën Qytetare "Karshiaka", me sukses ka realizuar projektin e renovimit të tërësishëm të rezervuarit të ujësjellësit në fshatin Studeniçan...

Ky projekt është pjesë e Agjendës së Gjelbër të projektit të USAID-it amerikan “Strategjitë komunale për ndryshimet klimatike”. Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, thotë se tani e tutje do të eliminohen problemet që kanë qenë prezente për disa pjesë të fshatit.
"Do të zvogëlohen dukshëm harxhimet e energjisë elektrike gjatë punës së pompave të ujit, do të zvogëlohen defektet e shpeshta në rrjetin e ujësjellësit në Studeniçan. Në mënyrë direkte do të përshtatemi në ndryshimet klimatike apo ngrohjen globale. Shumë faleminderit USAID-it për ndihmën e dhënë”- tha kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
Ky projekt është i një rëndësie të veçantë, pasi ka ndikim të drejtpërdrejt në jetën dhe përmirësimin e kushteve të qytetarëve, thonë përfaqësuesit e USAID-it.
“Ky është një hap i rëndësishëm për një zgjedhje afatgjate e të qëndrueshme në përpjekjet tuaja, për të siguruar kushte më të mira dhe të një cilësie të lartë të ujit për pije. Ky është një projekt që ka ndikim direkt në përmirësimin e jetës dhe kushteve si të qytetarit po ashtu edhe të atyre klimatike"- tha drejtori ekzekutiv i USAID-it, Xhejms Stajn.
Komuna e Studeniçanit është një ndër dhjetë komunat e para që është bërë pjesë e projektit "Strategjia komunale për ndryshimet klimatike", projekti i rezervuarit është projekti fillestar i ashtuquajtur “Aksioni urgjent”.
Prej sot, Komuna e Studeniçanit fillon vazhdimin e bashkëpunimit për projektin kryesor, që do të dalë si propozim nga grupet punës e që pritet të kapë vlerën prej 100 mijë dollarëve amerikane, plus 30% nga buxheti i Komunës. (Rexhep Qamili, TVM2)
