ITShKSh, konferencë shkencore “Shkupi ndërmjet dy luftërave botërore”
Studiues të njohur nga shumë qendra shkencore në konferencën shkencore të organizuar nga ITKSH sollën fakte dhe dëshmi të reja për historinë e shqiptarëve të Shkupit dhe rrethinës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore...

Studiuesit nga Kosova dhe Shqipëria thonë se historia e Shkupit ndërmjet dy luftërave botërore do të ndriçohet me argumente shkencore.
“Studiuesit tanë të institutit u përgatitën duke hulumtuar arkiva të ndryshme jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan, që të dalim më seriozisht dhe në mënyrë argumentuese ta shtjellojmë këtë periudhë kohore të historiografisë shqiptare”- deklaroi Skender Asani nga ITShKSh.
“Pritet të ketë një rezultat pozitiv në kontributin shkencor, ndriçimin e historisë së këtij qyteti kaq të rëndësishëm për shqiptarët, për fqinjët tanë, maqedonasit, por edhe në kuadër ballkanik”- tha drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta.
“Jemi optimistë që do të mbushet një boshllëk i historiografisë shqiptare, sepse do të trajtohet gjendja e popullsisë shqiptare në Shkup dhe rrethinë në harkun kohor 1918-1841, ndërsa më parë kjo çështje është trajtuar si çështje e gjithë shqiptarëve në Jugosllavi jo aq e mbështetur shkencërisht”- theksoi drejtori i Institutit të Historisë-Prishtinë, Sabit Syla.
“Para 100 vitesh, Shkupi ishte një qytet që frymonte shqip, të sotmen e këtij qyteti, të sotmen mund ta kuptojmë edhe përmes kësaj konference dhe besoj fuqishëm që do të ketë funksion”- u shpreh drejtori i Institutit Albanologjik-Prishtinë, Hysen Matoshi.
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, thotë se MASh do të përkrahë nisma të tilla që ndihmojnë në përpilimin e teksteve të reja të historisë, sepse ato që përdoren janë me përmbajtje kontroverse.
“Do vazhdojmë të përkrahim jo vetëm këtë institut, por edhe institute tjera të cilat organizojnë konferenca të tilla jo vetëm për fakte të reja historike, por edhe për të na ndihmuar që historia të shkruhet drejt në bazë të fakteve dhe argumenteve dhe për të na ndihmuar këto institute për të përpiluar tekste për historinë, të cilat janë ndonjëherë kontroverse dhe ndonjëherë janë me burime të dyshimta”- theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Konferenca është mbështetur nga MASh-i, ndërsa konkluzionet nga kjo konferencë do të botohen në revistën “Skupi”. (Flutura Latifi, TVM2)
