Pr.buxheti përplas deputetët shqiptarë, Fazliu: Shqiptarët japin 1 miliardë euro, u kthehet 1%; Ismaili: Pr.buxheti deri diku është proporcional
Projektbuxheti për vitin 2016 ka përplasur ashpër deputetët shqiptarë të pushtetit dhe opozitës...

Në ditën e dytë të debatit rreth buxhetit në Komisionin për Financa dhe Buxhet, deputetët e PDSh-së akuzuan BDI-në për hisen që parashihet të marrin shqiptarët dhe vendbanimet e banuara kryesisht me shqiptarë.
Sipas deputetit, Bekim Fazliu, me këtë projektbuxhet bëhet aperteid ekonomik ndaj shqiptarëve.
“T’u marrësh shqiptarëve nga një miliardë euro për mbushjen e buxhetit dhe të mos u kthesh atyre asnjë cent si investim, kjo nuk ka emër tjetër përpos aperteid ekonomik. T’i shfrytëzosh pasuritë natyrore nëpër vendbanimet shqiptare vetëm për etnitë tjera, kjo nuk ka emër tjetër vetëm se eksploatim i egër”- tha Bekim Fazliu nga PDSh.
Për hartimin e buxheteve të tilla, Fazliu akuzoi BDI-në. Sipas tij, madje shumë nga projektet që janë në projektbuxhet janë projekte të vjetra të paraparë me buxhetet paraprake, por që me ribalancet e buxheteve janë pezulluar.
Mirëpo, deputetët e BDI-së hedhin poshtë pretendimet e deputetëve të PDSH-së. Sipas deputetit, Rexhail Ismaili, buxheti nuk mund të ndahet në vija etnike. Ai sërish përmendi si pikë më të fuqishme “bllok dotacionet”, që në total janë 1 e 12 pjesë e buxhetit.
“Bllok dotacioneve nuk u jepni ndonjë analizë. Ne dhe viteve të kaluara u kemi bërë analizë bllok dotacioneve dhe kemi ardhur në disa konstatime të cilat na kanë detyruar të themi se përafërsisht apo deri diku propozim-buxheti është proporcional”- theksoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
Për ndryshimin dhe plotësimin e propozim-buxhetit janë propozuar mbi 400 amendamente. Buxheti për vitin 2016 projektohet të jetë rreth 3.2 miliardë euro. Sipas propozim-buxhetit për vitin 2016 shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 195.788 milionë denarë, ndërsa të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 176.804 milionë denarë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
