Këshilli i Prokurorëve - ndihmësit e Janevës, ”përgjysmohet” ekipi, kalojnë vetëm 7 prokurorë

14.10.2015 18:03

Këshilli i Prokurorëve Publik nuk miratoi planin e plotë të punës të Prokurores Speciale, por vendosi që ekipi i Janevës të përbëhet nga 7 e jo 14 prokurorë, siç kishte kërkuar ajo...

Në këtë ekip hyjnë prokurorët: Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska, Lejla Kadriu, Lubomir Llape, Marija Gjorgjeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai. Në këtë përbërje nuk kishte asnjë prokuror nga Prokuroria e Shkupit.

Për vendimin prokurorja u informua së bashkë me gazetarët. Ajo nuk ka qenë e pranishme në momentet kur është vendosur për përbërjen e ekipit të punës. Janeva thotë se me këtë vendim po shkelet Ligji për Prokurori Speciale dhe Marrëveshja e Përzhinës. Ajo kërkon t’i kompletohet ekipi.

“Unë bashkë me ju e dëgjova përbërjen e ekipit. Unë qëndroj në kërkesat e mija që ekipi i plotë të zgjidhet nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publik. Këshilli me këtë shkeli Ligjin për Prokurori Speciale dhe uzurpoi Marrëveshjen e Përzhinës. Shpresoj që së shpejti do ta korrigjojnë këtë vendim”- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.

Kryetari i Këshillit, Petar Anevski, thotë se numri i prokurorëve është përcaktuar në bazë të volumit të punës që do të ketë prokurorja speciale.

“Sipas numrit të lëndëve të cilat do të përpunohen, konsiderojmë se ky numër i prokurorëve publikë është i mjaftueshëm. Ky numër i prokurorëve publik nuk është përfundimtar, që do të thotë se në të ardhmen numri i prokurorëve mund të rritet”- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Petar Anevski.

Kryeprokurori publik, Marko Zvërlevski, njëherësh anëtar i Këshillit, pas mbledhjes tha se do të ngrisë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Prokurori Speciale. Sipas tij, akti i sjelljes së këtij Ligji është antikushtetues dhe i miratuar në kundërshtim me ligjet e vendit.

“Në përputhje me Ligjin për Prokurori Publike, Prokuroria Publike është e autorizuar që të ngrisë iniciativë gjithmonë kur dëmtohet kushtetutshmëria. Jemi duke e përgatitur iniciativën dhe do të dorëzohet së shpejti deri në Gjykatën Kushtetuese”- u shpreh kryeprokurori publik, Marko Zvërlevski.

Me gjithë vendimin e sotëm, prokurorja speciale, Katica Janeva, thotë se nesër do të fillojë punën në ambientet e përkohshme, në Ministrinë e Drejtësisë.

Plani financiar dhe ai personal në mbledhjen e sotme nuk u kundërshtuan nga Këshilli i Prokurorëve Publik. Madje, Janevës i miratohet kërkesa për 30 bodigardë. (Meral Ismaili, TVM2)