Newey: Ferrari dhe Mercedes nuk e duan Red Bull në F1

14.10.2015 19:37

Adrian Newey hidhet në sulm. Drejtori Teknik i skuadrës Red Bull nuk arrin ta përtypë faktin se përse Ferrari dhe Mercedes po i krijojnë aq shumë pengesa skuadrës së tij që është vënë në kërkim të një motori të ri...

Marrëveshja e Red Bull me Renault përfundon në fundin e Dhjetorit dhe ish 4 herë kampionët e botës nuk kanë nisur ende punën për njëvendëshen e vitit 2016 pasi nuk kanë ende një motor për ta vendosur nën telajon pothuajse perfekte të skuadrës austriake.

“Duan të na largojnë nga Formula 1“, thekson britaniku, i cili përshkruan situatën jo normale që po përjeton Red Bull pasi nëse nuk arrin të gjejë një motor, atëherë duhet të tërhiqet nga Formula 1 për sezonin 2016.

Bashkëpunimi me Renault u mbyll një vit përpara përfundimit të kontratës për shkak të paraqitjeve zhgënjyese të motorit francez. Zërat për një bashkëpunim me Mercedes u përgënjeshtuan nga skuadra gjermane, ndërsa Ferrari ka vendosur disa kushte që Red Bull nuk i ka pranuar.

“Me shumë mundësi do të jemi të detyruar për t’u larguar nga Formula 1 sepse Ferrari dhe Mercedes na kanë thënë jo. Për fat të keq, bashkëpunimi mes nesh dhe Renault është drejt fundit dhe jemi pa një motor për sezonin e ri. Ne nuk duam të qëndrojmë në Formula 1 thjesht sa për të bërë zhurmë“, e përfundon deklaratën e tij Newey.