“Portokallë të shtrydhur”, Holanda nën akuzë pas dështimit

14.10.2015 19:44

Momente shumë të vështira për Holandën. Pas kualifikimit të munguar në Euro 2016 në Francë, skuadra është nën akuzë. Skuadra ka marrë etiketimin “portokallë të shtrydhur”, për dështimin më të madh të tre dekadave të fundit...

Tulipanët nuk mungonin në një turne europian prej vitit 1984, e për koeçidencë edhe në atë rast evenimenti kontinental u zhvillua në Francë. Në Holandë ka nisur gjyqi për përfaqësuesen e drejtuar nga Blind, ku nën akuzë janë yjet e brezit të ri, me elementë cilësorë si Depay e Wijnaldum.

Vendi i katërt në grup. Humbjet e një pas njëshme, ku goditjen finale e dha Republika Çeke, e cila e kishte siguruar kualifikimin. Rezultati katastrofik merr përmasa edhe më të mëdha prej faktit se turneu u zgjerua për herë të parë dhe aty do të marrin pjesë 24 skuadra. I zhgënjyer për dështimin, Robin van Persie deklaroi se trajneri Danny Blind duhet të qendrojë në detyrë dhe kërkoi që skuadra të jetë e bashkuar. Solidariteti mungon në opinionin publik, ku të gjithë lojtarët që përbëjnë brezin e talenteve ose që cilësohen të tillë janë në akuzë. Nga Depay te Klaassen, për të vazhduar me djalin e trajnerit Blind dhe Wijnaldum.

Lojtarët ishin akuzuar më parë se nuk shfaqën ambicie dhe grintë në ndeshjet e humbura me Islandën dhe Turqinë. Rindërtimi i skuadrës dështoi, me përfaqësuesen që nuk ka një portier cilësor dhe mbrojtës të besueshëm për t’u rreshtuar përkrah De Vrij.

Holanda kaloi nga “futbolli total” në “turpërim total”. Fakti që do ta shohin Euro 2016 nga televizori i shtëpisë nuk mund ti shërbejë pozitivisht talentëve holandeze. Nevojitet shumë punë dhe përulje për të realizuar hapin cilësor dhe shndërrimin në lojtarë të mëdhenj.