Mustafa: Kosovës i duhet stabilitet politik

15.10.2015 12:31

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka konfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën...

Në një postim në Facebook, pas kthimit nga Brukseli, Mustafa ka thënë se Kosova ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për “fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar” të Kosovës.

“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e liberalizimit të vizave"- ka thënë Mustafa.

Ai ka konfirmuar se barrikada në urën mbi lumin Ibër do të hiqet që sot me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Kryeministri tha se Kosovës në këtë fazë i duhet unitet nacional dhe stabilitet politik.

“Nga aktet e dhunës në institucione ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi kah debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”.

Mustafa ka zhvilluar një darkë pune në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. Darka është realizuar me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini.