Sërish gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

15.10.2015 12:36

Opozita në Kosovë sërish kundërshtoi mbajtjen e seancës...

Para fillimit të seancës deputetët opozitarë, Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.

Kjo ndodhi pavarësisht se deputetët iu nënshtruan një kontrolli të rreptë të policisë para se të futen në sallën e Kuvendit. Pas kësaj ngjarje, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se ishin pjesëtarët e Policisë së Kosovës që janë kundër “Zajednicës” ata që i ndihmuan deputetët të fusnin gazin lotsjellës në sallë. Por, Policia e Kosovës ka demantuar fuqishëm deklaratën e dhënë sot në media lidhur me atë se Policia ka ndihmuar opozitën për sigurimin dhe futjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

”Deklarata e deputetit, Glauk Konjufca, është e pavërtetë dhe tendencioze për të diskredituar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në asnjë rrethanë mjeti i dyshuar nuk është futur në seancë me ndihmën e Policisë së Kosovës, ashtu siç është deklaruar. Deklarimi i tillë, po ashtu ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe opinioni i gjerë dhe kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës”- thuhet në një njoftim të Policisë drejtuar mediave.

Aktivistë e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe deputetë opozitarë në shenjë proteste janë mbledhur  në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Ata kanë thënë se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave derisa kryeministri, Isa Mustafa, të mos e tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel.

Atyre iu janë bashkuar edhe një numër i qytetarëve, të cilët po i kundërshtojnë këto marrëveshje. Ndërkohë që pas disa minutash mbledhje në Kryesinë e Kuvendit është marrë vendim që seanca të shtyhet për një ditë tjetër. (Gyltene Sinani, TVM2)