ShBA-Rusi, Shtëpia e Bardhë refuzon bisedimet me Rusinë

15.10.2015 12:46

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar propozimin e kryeministrit të Rusisë, Dimitri Medvedev, që të diskutojnë me ShBA-në për bashkëpunim ushtarak në Siri, si shenjë e “dëshpërimit”...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar një vizitë të tillë për kryeministrin Medevdev, më 13 tetor, e cila është refuzuar menjëherë nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi Josh Ernest ka thënë se Uashingtoni dhe Moska kanë zhvilluar bisedime për shmangie të përplasjeve ushtarake gjatë operacioneve të tyre, të ndara, që po i bëjnë në Siri.

Por, Uashingtoni ka refuzuar çfarëdo lloj tjetër të bashkëpunimit me Rusinë, përderisa ajo vazhdon ta mbështesë presidentin Bashar al Assad.

“Ne nuk jemi të interesuar ta bëjmë atë, përderisa Rusia nuk është e gatshme të ketë qasje konstruktive në përpjekjen tonë të përbashkët kundër të ashtuquajturit ‘Shteti Islamik’”- ka thënë Ernest.

“Rusia ka agjendën e saj. Nuk është e çuditshme që presidenti Putin do ta shprehte dëshpërimin, duke dërguar zyrtarin e dytë më të lartë të shtetit, për të tentuar për të bindur ShBA-në t’i bashkohet Rusisë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov ka shprehur “keqardhjen” që SHBA-ja "ka refuzuar fillimin e bisedimeve.”