Rektori i UShT-së, prof. dr. Vullnet Ameti, zgjidhet president i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit
Nën patronazhin e rektorit të Universitetit “Trakya”, prof. dr. Yener Yörück, në Edrene të Turqisë, u mbajt Kongresi i dytë i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA)...

Ky Asociacion është themeluar më 11 shtator 2014, si rezultat i bisedimeve të frytshme paraprake midis UShT-së, Universitetit “Trakya” dhe Universitetit të Sofjes, me qëllim të krijimit të një platforme të përbashkët universitare për mbarë rajonin e Ballkanit, duke trasuar dhe hapur shtigje për studentët tanë, profesorët dhe mbarë komunitetin akademik.
Aktin e themelimit të Asociacionit në vitin 2014 e kanë nënshkruar gjithsej 36 universitete, ndër ta edhe UShT-ja, kurse në Kongresin e dytë, këtë vit, janë anëtarësuar edhe 6 universitete dhe Asociacioni aktualisht numëron 42 universitete anëtare nga mbarë rajoni i Ballkanit.
Në rend dite të Kongresit, përveç idejimit të projekteve konkrete në të mirë të komunitetit akademik në rajonin e Ballkanit, ishte edhe marrja e Presidencës dhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Asociacionit, me ç’rast nominimi bëhej në mënyrë transparente dhe në sajë të dëshmimit të universiteteve anëtare.
Rektorët e pranishëm të të gjitha universiteteve njëzëri nominuan UShT-në për Presidencën e radhës, duke pasur parasysh suksesin e viteve të fundit të Universitetin tonë në rrafshin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si një universitet mirë të organizuar dhe serioz në organizimin e shumë konferencave dhe aktiviteteve tjera të këtij lloji, në veçanti për suksesin e treguar edhe me organizimin e konferencës rajonale të Observatoriumit të Magna Charte-s, në qershor të këtij viti.
Pavarësisht nominimit të Universitetit të Selanikut dhe Athinës, USHT-ja mori shumicën e votave nga rektorët e pranishëm për presidencën e vitit 2017 dhe me këtë rast rektori i UShT-së, prof. dr. Vullnet Ameti u zgjodh njëzëri president i BUA-së për vitin 2017.
Me këtë rast, UShT-ja shpreh falënderimet më të sinqerta për nikoqirin, Universitetin “Trakya” të Edrenesë, për të gjithë rektorët e universiteteve tjera anëtare për mbështetjen e dhënë dhe për gjithë punonjësit e UShT-së, të cilët kanë kontribuuar me mish e me shpirt, që UShT-ja të radhitet në gjirin e universiteteve prestigjioze në rajonin e Ballkanit. Rektorit, prof. dr. Vullnet Ameti, i dëshirojmë suksese të tjera në të ardhmen dhe vazhdimin e rrugës së nisur drejt sukseseve të reja për Universitetin Shtetëror të Tetovës.
