MOTO GP, Lorenzos i duhet një mrekulli për titullin
Ai vend i tretë në garën e Cmimit të Madh të Japonisë ka zvogëluar së tepërmi shanset e Jorge Lorenzos për t’u shpallur kampion bote në Moto Gp...

Kur kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe 3 gara deri në përfundim të sezonit, pilotit spanjoll të Yamahës mund të mos i mjaftojnë tre vende të para, për të rikuperuar disavantazhin prej 18 pikësh ndaj shokut të skuadrës Valentino Rossi në klasifikimin e përgjithshëm.
Në lojë janë ende edhe 75 pikë, por duke qenë se fituesi i një gare merr 25 pikë dhe ai që renditet i dyti grumbullon 20 pikë , Doktorit do t’i mjaftonin edhe tre vende të dyta për të fituar titullin e tij të 7-të në Moto Gp dhe të 10-tin në karrierë.
E vetmja mundësi për 28-vjecarin për t’u shpllur për herë të tretë kampion Bote është që Rossi të gabojë në një prej 3 garave të ardhshme duke dalë jashtë piste ose duke u renditur në një pozicion më të më të keq se vendi i dytë.
Lorenzo shpreson shumë të ndihmohet edhe nga dybashkëkombasit e tij Marc Marquez dhe Dani Pedrosa.
Repsol Honda ka shfaqur një formë të mirë në garat e fundit sidomos me Pedrosan, por që gjithsesi vështirë se Dani dhe Marquez do t’i vinë në ndihmë Jorges pasi ata kanë deklaruar edhe më parë se dëshirojnë t’i bëjnë një mbyllje sa më të mirë sezonit dhe nëse u jepet mundësia do t’i fitojnë garat.
Me pak fjalë Loreno ka nevojë për një mrekulli për të lënë pas Valentino Rossin në garën për titullin kampion. Ndalesa e radhës në Moto Gp do të jetë ajo e kësaj fundjave në pistën e Philip Island në Australi.
