Xhes Bejli: Lëreni Janevën të punojë sipas marrëveshjes
Një ditë pasi Këshilli i Prokurorëve përgjysmoi ekipin e propozuar nga Katica Janeva, ambasadori amerikan, Xhes Bejli, i ka përkujtuar Prokurorisë Publike se 108 deputetë kanë votuar unanimisht për Prokurorinë Speciale për të cilën paraprakisht 4 partitë më të mëdha arritën marrëveshje...

Bejli apelon që prokurores speciale t’i sigurohen burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për funksionim, pasi kjo është parësore për funksionin e pavarur të Prokurorisë Speciale dhe hetimin e rasteve nga përgjimet e publikuara nga opozita.
“Dua të theksoj se 108 përfaqësues të parlamentit, 4 partitë, si dhe Këshilli i Prokurorëve e zgjodhën atë në mënyrë unanime, për shkak të profesionalizmit të saj dhe drejtësisë. Prandaj mendoj se duhet t’i ofrohen burimet e nevojshme që të mund të realizojë punën e saj. Është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një proces i besueshëm dhe i pavarur gjyqësor për çështjet që dolën në pah nga telefonatat e përgjuara. Kjo është shumë e rëndësishme për të ndihmuar Maqedoninë të dalë nga kjo situatë në të cilën gjendet”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.
Sa i përket braktisjes së bisedimeve nga LSDM pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Prokurorëve, Bejli potencoi se nuk ka më kohë dhe grupet e punës duhet t’u përmbahen afateve pasi ende kanë mbetur shumë punë për t’u përfunduar. (Sanije Kasami, TVM2)
