Rasti i Gushincës dhe Kumanovës, arrestohen 7 të dyshuar në aksionin “Rrufeja”
“Në aksionin e sotëm policor, në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës janë arrestuar 7 persona...

“Në aksionin e sotëm policor, në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës janë arrestuar 7 persona për të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë të grupit të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe ngjarjet paraprake në Stacionin Policor në Gushincë”- ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Të dyshuarit, sipas MPB-së, kryesisht kanë pasur rolin e logjistikës dhe i kanë ndihmuar grupit të armatosur në kryerjen e veprave, si fshehjen e armëve, transportin dhe strehimin e grupit të armatosur në Kumanovë, por që nuk kanë qenë të involvuar direkt në sulme. Sipas MPB-së, ata kanë planifikuar edhe sulme në kryeqytet. Ndaj të arrestuarve janë ngritur padi penale për vepra terroriste, ndërkohë që nga Prokuroria Publike kanë propozuar masën e paraburgimit.
“Bëhet fjalë për persona në moshë prej 20 deri në 74 vjet, prej të cilëve 3 janë nga Hotla, dy nga Breza dhe 1 nga Haraçina dhe Mateçi. Të gjithë këta shtatë persona janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Organizim terrorist’ në bazë të nenit 394 A dhe ‘Terrorizëm’ në bazë të neni 394 B, lidhur me nenin 24 nga Kodi Penal, gjegjësisht ‘Ndihmë’”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Në aksionin e sotëm policor, MPB ka kryer bastisje në pesë lokacione edhe atë në dy lokacione në fshatin Hotël, dy në Brezë dhe një në fshatin Mateç. Kotevski tha se gjatë bastisjes janë gjetur karta të Shqipërisë së madhe, uniforma të UÇK-së, 13 celularë, një pushkë automatike,127 plumba, 2 pistoleta gjuetie, fotografi me pjesëtarë të UÇK-së etj.
Numri më i madh i të dyshuarve janë të njohur për policinë me vepra të ndryshme penale. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
