15 tetori-Dita e Shkopit të Bardhë, shkollë e re për fëmijët e verbët
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Verbër ose Ditës së Shkopit të Bardhë është bërë inaugurimi i godinës së re shkollore të Shkollës Shtetërore “Dimitar Vllahov” për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me vështirësi në të pamurit...

Objekti i ri është ndërtuar me donacione të Komandës Evropiane të Armatës së ShBA-së, e cila për këtë projekt ka ndarë 363 mijë dollarë.
“Ky projekt ka për qëllim që nxënësit me vështirësi në të pamurit të pajisen me materiale, si dhe të ngrihet vetëdija për nevojat e tyre. Ky projekt ka inspiruar që edhe të tjerët të na bashkëngjiten. Shoqata e Oftamologëve këtë verë ka bërë kontrollimin e syve tek 500 fëmijë nëpër çerdhe. Presim që deri në fund të vitit të kontrollohen edhe shumë fëmijë tjerë”- deklaroi ambasadori i ShBA-së, Xhes Bejli.
“Me ndihmën e miqve tanë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nxënësit fituan objekt bashkëkohor, të pajisur me të gjitha mjetet ndihmëse dhe vizuale. Lëvizja nëpër objektin shkollor do t'ju lehtësohet nxënësve, sepse ajo është pajisur me rrugë daktile (të prekshme), apostafat për personat me vështirësi në të pamurit”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“15 tetori, Dita Ndërkombëtare e Personave të Verbër është vetëm një ditë në vit, një ditë që duhet të shënohet dhe të vazhdojmë me projekte të cilat ju ndihmojnë për të tejkaluar problemet me të cilat përballet kjo kategori e qytetarëve. Kjo ditë nuk do të kishte kuptim në qoftë se ditëve tjera të vitit nuk tregohet humanitet dhe përkushtim ndaj këtyre personave”- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Shoqata e të Verbërve të Maqedonisë, me rastin e 15 tetorit ka apeluar të mënjanohen të gjithat format e diskriminimit ndaj personave të verbër në të gjitha sferat e shoqërisë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
