Marrëveshja për Kodin Zgjedhor, Listë Zgjedhore me fotografi të votuesve

15.10.2015 17:24

Lista zgjedhore do të pastrohet me kryqëzimin e të dhënave nga baza të ndryshme, por jo edhe me regjistrim aktiv siç kërkon fillimisht opozita maqedonase...

Risi për të cilën palët kanë rënë dakord në takimin e një dite më parë është se në Listën Zgjedhore do të ketë edhe fotografi të votuesit, duke hedhur poshtë propozimin e PDSh-së që votuesi të identifikohet me shenja gishti.

“Regjistrim aktiv nuk do të ketë për arsye se BDI e kundërshtoi bashkë me PDSh-në. Nuk do të ketë as kontrollime në terren derë më derë të Listës Zgjedhore, që gjithashtu u kundërshtua nga partitë politike shqiptare. Në KShZ do të rritet përfaqësimi i shqiptarëve në 33%, me ç’ rast tre nga nëntë anëtarët e KShZ-së do të jenë shqiptarë”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Sa i përket votimit në diasporë, është arritur marrëveshje që të ketë vetëm një njësi zgjedhore, ndërsa pragu për fitimin e mandatit të jetë rreth 6.500 vota, përkatësisht minimum i votave të nevojshme për fitimin e mandatit të deputetit në njësitë zgjedhore në vend. 

“U dakorduam që diaspora të ketë deputetë të saj. Ato do të zgjidhen sipas modelit proporcional si në Maqedoni, përkatësisht do të ketë një njësi zgjedhore në të cilën do të zgjidhen tre deputetë me minimumin e duhur të votave si në Maqedoni, prej rreth gjashtë mijë e ca vota. Por, që të tre do të zgjidhen nga një listë e vetme”- tha  Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

KShZ edhe më tej do të marrë vendime me shumicë absolute. Nëse ndonjëri nga anëtarët konsideron se me ndonjë vendim të caktuar rrezikohen të drejtat e ndonjë bashkësie etnike, anëtari mund të kërkojë votim të dyfishtë. Nëse për raste të tilla KShZ nuk mund të marrë vendime, atëherë çështja dërgohet në Gjykatën Administrative, e cila do të marrë vendime me mbikëqyrje të shtuar ndërkombëtare dhe në seancë të hapura për opinion. (Shpëtim Nuredini, TVM2)