Zgjidhja e krizës politike, Vajgëll takime me liderët e katër partive dhe Janevën
Raportuesi për Maqedoninë, i cili është edhe ndërmjetësues në bisedimet mes 4 partive politike për tejkalimin e krizës politike në vend, eurodeputeti, Ivo Vajgëll, gjatë ditës ka arritur për vizitë pune në Shkup...

Vajgëll kësaj radhe nuk do të realizojë takim me grupet punuese të cilët po diskutojnë për të gjitha pikat e marrëveshjes së qershorit.
Ai pritet që gjatë ditës së nesërme të takohet me liderët e katër partive politike pjesëmarrëse në bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës.
Vajgëll gjithashtu do të realizojë takim edhe me prokuroren speciale, Katica Janeva.
Vizita e raportuesit Vajgëll është e lidhur me informimin e tij për rrjedhën e negociatave mes grupeve punuese për realizimin në tërësi të Marrëveshjes së 2 qershorit të arritur në Përzhinë mes përfaqësuesve të katër partive politike, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSh.
Raportuesi evropian dhe ndërmjetësuesi në bisedimet për tejkalimin e krizës politike në vend, një ditë më parë nga Brukseli ka deklaruar se politikanët e vendit duhet që deri në fund ta implementojnë marrëveshjen e arritur dhe e gjitha më pas duhet të jetë përfshirë në raportin e radhës të Komisionit Evropian.
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Ivo Vajgëll, ka qenë i pranishëm edhe gjatë raundit të parë të bisedimeve të Perzhinës, në muajin qershor, i shoqëruar me eurodeputetin, Riçard Hovit, Eduard Kukan, si dhe komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han.
