Propozim –buxheti, akuza të ndërsjella midis LSDM-së dhe VMRO- DPMNE-së

15.10.2015 17:38

Propozim-buxheti i qeverisë sërish ka përplasur pushtetin dhe opozitën....

Propozim-buxheti i qeverisë sërish ka përplasur pushtetin dhe opozitën. LSDM-ja opozitare ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se kanë keqpërdorur mjetet financiare të buxheteve të kaluara të shpenzuara për financimin e mediave dhe kanë kërkuar nga pushteti të tregojnë të gjitha paratë të shpenzuara për projekte. Ndërsa këta të fundit akuzuan LSDM-në për privatizimin e bërë dhe materialet e publikuara, të cilat, sipas tyre, e kanë spiunuar popullin e vet.

“Dilni dhe tregoni opinionit të Maqedonisë se sa mjete do të ndani për mediat e korruptuara, nuk ju vinte turp që të votoni për shkallët spanjolle, e jo të votoni për spitale? Tani pas 10 viteve më tregoni se do të ndërtoni spitale, ja si duket spitali në Prilep, është në gjendje katastrofale. A mund të më tregoni se pse në fjalimin tuaj nuk thatë asnjë fjalë për projektin Shkupi 2014’”- tha Goran Sugareski nga LSDM.

“Ju i përkisni një partie politike e cila nuk ka kredibilitet për të folur për gjërat që janë bërë në Maqedoni. Nuk keni as projekte, as investime. E vetmja gjë që e keni bërë është privatizimi kriminal dhe atë në vlerë të kapitalit prej 2 miliard e 300 milion euro”- theksoi Lidija Kuzmanovksa nga VMRO-DPMNE.

Gjithashtu deputetët e opozitës kanë akuzuar se qeveria nuk i ndihmon kompanitë vendase, ndërsa ministri Stavrevski iu është përgjigjur se qeveria ka punuar mjaftë për thithjen e investimeve të huaja, ndërsa tha se nuk është e vërtetë që anashkalohen kompanitë vendase.

“Doni të impononi një tezë të rrejshme, se nuk po ndihmojmë kompanitë vendase. Ne si qeveri kemi marrë shumë masa për këto kompani. Në Maqedoni kompanitë e vendit paguajnë tatime më të ulëta në botë. Biznesmenët e Maqedonisë kanë shpenzime shumë të ulëta”- u shpreh  ministri i Financave, Zoran Stavrevski. 

Buxheti për vitin 2016 projektohet të jetë rreth 3.2 miliardë euro. Sipas propozim-buxhetit për vitin 2016, shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 195.788 milionë denarë, ndërsa të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 176.804 milionë denarë.(Ersan Pajaziti, TVM2)