Dialogu politik, LSDM po shqyrton pjesëmarrjen në bisedime

15.10.2015 19:25

LSDM në konsultime të më shumë niveleve brenda partisë po shqyrton qëndrimin e saj përfundimtar rreth pjesëmarrjes së mëtutjeshme në bisedimet e Grupit punues...

Nga partia e Zaevit thonë se për momentin nuk janë pjesë e bisedime deri në marrjen e vendimit përfundimtar se do të jenë apo jo pjesë e dialogut politik. Rishqyrtimi i përfshirjes së tyre në bisedime erdhi dje, pasi Këshilli i Prokurorëve votoi gjysmën e prokurorëve të propozuar nga prokurorja speciale, Katica Janeva, hap ky që u konsiderua si shkelje e Ligjit për Prokurori Speciale dhe të Marrëveshjes së Përzhinës.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE thotë se qëndron pas Marrëveshjes së 2 qershorit dhe protokollit të 15 korrikut. Për pengesën që u paraqit rreth propozimit të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë Speciale, VMRO konsideron se kjo çështje është rregulluar me ligj dhe kompetente janë institucione të tjera, jo partitë.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon vazhdimin e dialogut politik në kuadër të grupeve të punës midis katër partive më të mëdha politike për të mbyllur çështjet e tjera që burojnë nga Marrëveshja politike e dy qershorit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreson që Këshilli i Prokurorëve Publik në bashkëpunim me Prokuroren Speciale do të tejkalojnë situatën e krijuar dje me mirëkuptim të ndërsjellë dhe do të veprojnë në përputhje me Ligjin për Prokuror Special, të cilin e miratuan partitë më të mëdha në vend”- thuhet në kumtesën e BDI-së.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare kumton se vazhdon ta mbështesë Marrëveshjen e 2 qershorit/15 korrikut, si dhe dialogun e grupeve të punës.

“Apelojmë që sa më shpejtë të tejkalohen mosmarrëveshjet lidhur me Prokuroren Speciale dhe Këshillin e Prokurorëve Publik. Njëkohësisht presim që me shumë seriozitet të vazhdojë dialogu për marrëdhëniet ndëretnike dhe për përshpejtimin e integrimit të vendit në NATO dhe BE”- thuhet në kumtesën e PDSh-së. (Meral Ismaili, TVM2)