Kriza e refugjatëve, BE 3 miliardë euro Turqisë, Erdogan skeptik

16.10.2015 10:43

Liderët e Bashkimit Evropian, pas takimit në Breuksel kanë miratuar një plan veprimi për Turqinë, me shpresë se do të lehtësojë fluksin e migrantëve në Evropë....

Ata i kanë ofruar Turqisë 3 miliardë euro, si dhe perspektivë në liberalizimin e vizave dhe në bisedimet për anëtarësim në BE. Udhëheqësit evropianë deklaruan se kanë rënë dakord me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, për të bashkëpunuar në përmirësimin e jetës për dy milionë refugjatët sirianë në Turqi.

Ajo ka kërkuar po ashtu krijimin e një “zone të sigurt” për refugjatët në veri të Sirisë, por zyrtarët evropianë kanë thënë se përfshirja ushtarake e Rusisë në Siri e ka komplikuar edhe më shumë idenë.

Presidenti, Taip Erdogan, tha se Bashkimi Evropian është kujtuar shumë vonë për të vlerësuar rëndësinë e vendit të tij në frenimin e fluksit të refugjatëve, duke shtuar se në bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE ka mungesë sinqeriteti.

Ai nuk tha nëse Ankaraja do t’a pranojë fondin prej tre miliardë eurosh që u ofrua nga liderët evropianë pas Samitit të azilkërkuesve në Bruksel, por e bëri të qartë se plani i propozuar prej tyre nuk do të aprovohet shumë lehtësisht.

“Siguria dhe stabiliteti i Evropës në lidhje me situatën e emigrantëve do të varen nga qëndrimi ynë. Gjatë takimit që mbajta në Bruksel, liderët evropianë më thanë se zgjidhja e krizës nuk mund të arrihet pa Turqinë. Por, nëse zgjidhja nuk mundet pa Turqinë, atëherë pse vendi ynë nuk është i anëtarësuar në Bashkimin Evropian? Problemi është i qartë, por ata nuk janë treguar të hapur me ne”- ka thënë Erdogan.

Aktualisht, në Turqi qëndrojnë afro 2 milionë emigrantë sirianë.