Opozita lëshon gaz lotsjellës në Kuvend, Mustafa nuk pranon ultimatum

16.10.2015 12:14

Opozita e Kosovës ka përdorur sërish gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, me çka ka pamundësuar vazhdimin e punimeve te djeshme...

Me të filluar seanca, deputetët opozitarë janë mbledhur te foltorja e Kuvendit dhe më pas kanë hedhur edhe gazin lotsjellës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka cilësuar këtë si një veprim të turpshëm dhe ka shpallur pauzë, e cila më vonë u shndërrua në ndërprerje të seancës. Përderisa deputetët dhe i gjithë personeli po largoheshin nga ambientet e mbyllura të përfshira me gazin lotsjellës, opozitarët janë pritur para dyerve të Kuvendit nga një grup i simpatizantëve të tyre. Shefi i grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, para mediave ka deklaruar se gazin lotsjellës  e kanë siguruar me ndihmën e policisë.

Edhe për sot opozita ka paralajmëruar për protesta deri në tërheqjen përfundimtare të dy vendimeve për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe për “Zajednicën”.

Në ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë ka shprehur keqardhjen për zhvillimet e fundit në Kuvend, duke thënë se dhuna e opozitës nuk i shërben popullatës.

Ai ka kërkuar nga organet e rendit që të kryejnë punën e tyre lidhur me këtë rast dhe njëherit ka bërë thirrje për zhbllokimin e Kuvendit. Numri një i Qeverisë së Kosovës ka potencuar se nuk pranon ultimatume.