Los Anxhelos, rrëshqitjet e dheut bllokojnë rrugët
Shirat e dendur shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje masive dheu në komunitetet e Los Anxhelosit verior, duke përmbytur makina dhe duke izoluar dhjetëra drejtues mjetesh në rrugë...

Autoritetet amerikane mbyllën disa nga rrugët kryesore të zonës, ndërsa ekipet e emergjencave u angazhuan në shpëtimin e njerëzve në nevojë.
Brenda pak orësh ranë me dhjetëra centimetra shi, që shkaktuan probleme serioze. Dëshmitarë okularë dhe njerëz që i shpëtuan për mrekulli përmbytjeve treguan për tmerrin që kaluan.
Disa prej tyre thanë se u gjendën befasisht të rrethuar nga dheu dhe gurët, ndërsa lumi i baltës merrte me vete makinat që gjendeshin në rrugë sikur të ishin prej letre.
Dhjetëra zjarrfikës u angazhuan në operacionet e shpëtimit dhe shumë njerëz u nxorën nga makinat e tyre të bllokuara mes baltës.
Fatmirësisht, nuk ka raporte për viktima apo të humbur, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për reshje të tjera dhe rrezikun ende të pranishëm të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
