Tenis
ATP Shanghai, kualifikohen Djokovic, Murray e Nadal
16.10.2015 16:55
Asnjë surprizë në ditën 3-të të Mastersit të Shanghait. Pas eliminimit të kampionit në fuqi Roger Federer të Martën sfidat e tjera të ruandit të dytë u fituan të gjitha nga tenistët favoritë...

Vetëm 3 game humbi në total numri 1 i Botës Novak Djokovic përballë sllovakut Martin Klizan. 2-0 me sete me shifrat 6-2 6-1 ishte rezultati i sfidës në favor të Noles i cili në ruandin tjetër do të sfidojë spanjollin Feliziano Lopez që nga ana e tij mundi në set final austriakun Dominic Thiem.
Nuk vuajti as 2-herë fituesi i këtij turneu Andy Murray për të avancuar më tej. Tenisti britanik kaloi në 2 sete me rezultatin 6-2 6-4 amerikanin Steve Johnson.
Disi më të vështirë e pati Stan Wawrinka përballë serbit Victor Troicki. Zvicerani triumfoi po 2-0 me sete me shifrat 7-6(7-3 në tiebreak) dhe 6-3 duke u kualifikuar në ruandin e 1/8-ave ku do të ketë përballë kroatin Marin Cilic.
Me shumë vështirësi avancoi më tej edhe Rafael Nadal që kaloi në 3 sete shtalartin kroat Ivo Karlovic.
Një biletë në fazën tjetër e siguroi dhe finalisti i vitit të kaluar në Mastersin e Shanghait francezi Gilles Simon ndërsa u kualifikuan në ruandin e 1/8-ave edhe Richard Gasquet, Milos Raonic, Thomas Berdych dhe Kei Nishikori.
