Botë

Mustafa nuk pranon ultimatume dhe kërcënime

16.10.2015 17:14

Opozita në Kosovës shprehet e gatshme të ulet dhe të bisedojë me Qeverinë lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, por me kusht që marrëveshjet e arritura me Serbinë të rishikohen edhe një herë...

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse Qeveria nuk është e gatshme që së bashku të rishikojë këto marrëveshje, atëherë nuk ia vlen të bisedohet.
 
“Ne do të ishim të gatshëm të bisedojmë me Qeverinë vetëm në rast se shohim që tema e diskutimit  do formulohej në drejtim të rikonsiderimit të marrëveshjes. Në momentin që Qeveria  thotë ejani në takim, ku  asnjë presje nuk mund t’u hiqet marrëveshjeve, ne i themi jo, faleminderit…Kur Isa Mustafa të thotë që nuk e kam  ditur, por kam gabuar, Suhdolli me u përfshi në ‘Zajednicë’ nuk bën, atëherë ulemi së bashku dhe bisedojmë”- tha Glauk Konjufca nga VV.      
                                                                 
Por, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri, Isa Mustafa, ka shprehur keqardhje, për, siç vlerëson ai, qasjen destruktive dhe përdorimin e dhunës nga opozita ndaj institucioneve kushtetuese e ligjore të Kosovës.
 
Ai po ashtu kërkoi që të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, ndërsa shprehu gatishmërinë që Qeveria t’i raportojë Kuvendit për marrëveshjen në Bruksel, por jo edhe të heq dorë nga marrëveshja.              
 
“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për debat të hapur në Kuvend të Kosovës edhe për marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel, sepse jam i bindur se ato janë në interes të Kosovës dhe në përputhje me Ligjin dhe me Kushtetutën e vendit tonë… Si kryeministër i vendit jam i gatshëm që me kohë të ballafaqohem me këdo, të bisedoj në Kuvend, apo edhe në ndonjë tryezë tjetër. Por, nuk jam i gatshëm të pranoj ultimatume dhe kërcënime, sepse jam i bindur se Kosova nuk ka arsye të mos u besojë partnerëve të saj dhe të vejë në pikëpyetje orientimin e saj pro perëndimor të vendosur me shumë mund nga presidenti, Ibrahim Rugova, dhe nga lufta e UÇK-së”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.    
           
Për tensionimin e situatës politike në Kosovë opozita e fajëson qeverinë Mustafa, prandaj Këshilli Drejtues i AAK-së në një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur ta mobilizojë anëtarësinë dhe simpatizantët e saj, si dhe qytetarët për një protestë vendimtare kundër kryeministrit dhe Qeverisë. 
 
GYLTENE SINANI