Maqedoni

Ali Ahmeti: S’kam hipoteka as te VMRO as te LSDM; deri në vdekje të kërkohet e vërteta për “Kumanovën”

16.10.2015 17:20

Kriza e stërzgjatur politike në Maqedoni nuk i dëmton vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët...

Kështu ka thënë në intervistën ekskluzive dhënë për televizionin "Ora News", lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka folur edhe për sfidat, presionet dhe problemet e brendshme të vendit.
 
Sipas Ahmetit, përfitimi i shqiptarëve nga kjo situatë ka qenë që Gjykata Speciale të zgjidhet me Badenter.
 
Në KQZ nuk pranohet vendimi nëse nuk ka konsensus edhe për shqiptarët. I pyetur nëse lideri i LSDM-së ka qenë selektiv me publikimin e përgjimeve, Ahmeti ka konfirmuar se vetëm për atë ka pasur 17 600 file, përgjime të përpunuara nga shteti dhe se nëse Zaevi do të kishte diçka nuk do ta kursente.
 
“S’kam hipotekë as të VMRO-së as LSDM-së. Jam përpjekur për çështjet shqiptare, nuk them që kam bërë mrekulli. Për mua nuk kishte rëndësi a do bëhet ligji apo jo, sepse unë me përgjegjësinë më të lartë kam thënë ça ka për mua t'i hedhë në publik"- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Lidhur me atë që ndodhi në Lagjen e Trimave në Kumanovë, Ahmeti theksoi se BDI-ja kërkon një gjykim transparent për t’u zbardhur e vërteta dhe pret bashkëpunim mes institucioneve të Maqedonisë me Kosovën që nga kjo ngjarje të mos mbetet asgjë enigmë.
 
"Asnjëherë se kam mohuar që kam pasur njohje me ta, kanë qenë bashkëluftëtarë dhe po të më kishin pyetur mua asnjëherë nuk do të ndodhte ajo që ndodhi. Kam bërë maksimumin me miq e shokë që të parandalohet diçka e tillë, por më kanë anashkaluar dhe jam izoluar nga informatat unë edhe shokët e mi. Po t’i kisha takuar do bëja përpjekjet maksimale dhe do i kisha bindur. Është shumë enigmatike, kush qëndroi pas, si ndodhi? E rëndësishme është që pjesa më e madhe e tyre kanë shpëtuar gjallë, kanë filluar hetimet, së shpejti do të fillojë edhe gjykimi. Njerëz janë angazhuar, kush i bindi shokët tanë, kjo duhet të kërkohet deri në vdekje, që të zbardhet e vërteta”- deklaroi Ahmeti.
 
Ahmeti për “Ora News” ka thënë se nuk ka diferenca mes VMRO-së dhe LSDM-së në raport me marrëdhëniet me shqiptarët dhe me zbatimin e MO-së.
 
Sipas tij, Marrëveshja legjislative e Ohrit në tërësi është realizuar, por kanë mbetur për t'u realizuar edhe çështja e gjuhës, prandaj do të realizohet një debat për sjelljen e një ligji mbi përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit. 
 
“Kam bashkëqeverisur edhe me VMRO-në edhe me LSDM-në, nuk dallojnë. Ka mbetur për t’u realizuar edhe çështja e gjuhës. Ne akoma nuk kemi arrit në konsensus, një marrëveshje për ta implementuar në ligj”- theksoi Ahmeti. 
 
Lidhur me atë nëse ka vend për ndonjë marrëveshje të re, lideri i BDI-së u shpreh decid se çfarëdo retorike politike të përdoret në Maqedoni, çfarëdo qëndrimi që do të ndërtohet për marrëveshje të reja, për pozicione të reja të shqiptarëve, Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e garantuar nga NATO, ShBA, BE, e garantuar dhe e nënshkruar.
 
Ndërsa sa i përket çështjes së emrit, lideri i integristëve ka thënë se pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar nuk arrihet përparim.
 
Sipas tij, Brukseli dhe Uashingtoni janë të interesuar që ky problem të zgjidhjet, por lufta Ukrainë-Rusi, lufta në Irak e Siri dhe agjenda ndërkombëtare u zhvendos në këto vende me rreziqe për botën.
 
SANIJE KASAMI