Maqedoni

16 tetori-Dita Botërore e Ushqimit, ndërgjegjësim për të gjithë

16.10.2015 17:36

Bota shënon Ditën e Ushqimit. 16 tetori është dita që na bën të senzibilzohemi të gjithë anë e mbanë botës mbi rëndësinë e ushqimit...

Bota shënon Ditën e Ushqimit. 16 tetori është dita që na bën të senzibilzohemi të gjithë anë e mbanë botës mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin tonë, mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.
 
Me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve organizuan aktivitet senzibilizues në Shkup nën moton ”Nga ara në tavolinë, nga ferma në pirun”.
 
Qëllimi kryesor është që të vetëdijesohen qytetarët për rëndësinë dhe përzgjedhjen e ushqimit, rreziqet që vijnë nga varfëria, uria dhe kequshqyerja. 
 
“Republika e Maqedonisë prodhon ushqim të shëndetshëm, ndërsa sistemi  për kontroll të ushqimit është në nivel të lartë. Të gjitha programet monituruese janë të harmonizuara me rregullat evropiane. Mirëpo duhet theksuar se shprehitë higjienike të konsumatorëve duhet të jenë në nivel më të lartë”- deklaroi drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Popovski.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 fare pak dinin për Ditën e Ushqimit. Ata thonë se nuk kanë mundësi gjithmonë të konsumojnë ushqim të shëndetshëm. Madje, edhe tregtarët konfirmojnë se standardi jetësor i qytetarëve për të blerë ushqim të shëndetshëm është në rënie.  
 
“Shprehi kemi për t’u ushqyer shëndetshëm, por nuk kemi të holla. Jam pensionist, duhet kujdesem për familjen”- theksoi një qytetar.
 
“Qytetarët kanë interes për të blerë gjëra të shëndetshme, por nga xhepi janë dobët. Vetëm pyesin, shikojnë dhe largohen. Nuk blejnë. Kjo dukuri është prej vitin e kaluar, por më e theksuar është këtë vit”- tha një tregtar.
 
“Qytetarët janë të vetëdijshëm, por të ardhura nuk kanë të mjaftueshme. Kjo do të thotë se ne kemi më pak punë këtu në treg”- u shpreh një tregtar.
 
“Ja sa bleva domate dhe speca. I blej këto nga pak, nga 2 ose 3 kilogram”- potencoi një qytetar.
 
Nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve thonë se konsumatorët e Maqedonisë në të shumtën e rasteve kërkojnë shënim të qartë të përbërësve në ushqim.
                               
“Rregullativa e Maqedonisë është harmonizuar me atë evropiane për shënimin e ushqimit dhe kjo duhet të gjejë zbatim, që qytetarët të mund t’i shohin përbërësit nutritiv, veçanërisht  yndyrat, sheqerin dhe kripën”- deklaroi Marjana Llonçar nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
 
Dita Botërore e Ushqimit shënohet prej vitit 1981 dhe synimi kryesor I kësaj dite mbetet zhdukja e urisë dhe varfërisë në botë.
 
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim, çdo vit në botë vdesin mbi 6 milion persona nga uria dhe sëmundjet që lidhen me mungesën e ushqimit të shëndetshëm, ndërsa më shumë se 850 milion persona nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.
 
REXHEP QAMILI