Maqedoni

Janeva insiston për 14 prokurorë; Këshilli i Prokurorëve insistimin e Janevës e sheh si presion

16.10.2015 17:57

Pas caktimit të datës nga Këshilli i Prokurorëve për dhënien e deklaratës solemne të 7 prokurorëve të zgjedhur në ekipin e prokurores speciale, Katica Janeva...

Pas caktimit të datës nga Këshilli i Prokurorëve për dhënien e deklaratës solemne të 7 prokurorëve të zgjedhur në ekipin e prokurores speciale, Katica Janeva, ajo u bëri thirrje shtatë prokurorëve të sapozgjedhur që të mos japin deklaratën solemne deri në zgjedhjen edhe të shtatë prokurorëve të tjerë.
 
Në ditën e zgjedhjes, por edhe sot, përmes një komunikate Janeva kërkoi që t’i kompletohet ekipi.
 
“Falënderoj Këshillin e Prokurorëve Publik të Republikës së Maqedonisë për ftesën që të marr pjesë gjatë dhënies së deklaratës solemne të prokurorëve publikë, të cilët duhet të jenë pjesë e ekipit që ishte propozuar nga ana ime. Në këtë konteks, duke u referuar nga ftesa e Këshillit, në konsultim me një pjesë të ekipit të prokurorëve publik që janë zgjedhur dhe duke pasur parasysh qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit, u rekomandoj të mos pranojnë ftesën e Këshillit të Prokurorëve dhe të mos japin deklaratë solemne për zgjedhjen e tyre për arsye se akti i tillë do të ishte vetëm vërtetim i vendimit të Këshillit, i cili është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorë Publikë për ndjekjen e veprave penale që janë në lidhshmëri dhe që dalin nga përmbajtja e ndjekjes së komunikimeve joligjore”- thuhet në komunikatën e prokurores speciale, Katica Janeva.
 
Ndërkohë, Këshilli i Prokurorëve, përmes një njoftimi me shkrim, ka reaguar ndaj thirrjes së prokurores, Katica Janeva. Këtë thirrje Këshilli i Prokurorëve e ka cilësuar si presion. 
 
“Këshilli i Prokurorëve Publik i Republikës së Maqedonisë këtë veprim e vlerëson si presion joprincipiel ndaj Këshillit. Me këtë rast, theksojmë se prokurorët publikë dhe prokurorja e tyre, Katica Janeva, janë zgjedhur që të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin dhe jo të bëjnë politikë”- thuhet në reagim.
 
Këshilli rikujton se ditën e zgjedhjes së shtatë prokurorëve ka shprehur gatishmërinë që në të ardhmen, në rast nevoje, të zgjedh edhe prokurorë të tjerë në prokurorinë speciale.
 
Në fund të reagimit, Këshilli i ka ftuar që të hënën shtatë prokurorët të japin betimin solemn. Nga lista e 14 prokurorëve të propozuar nga Janeva, Këshilli i Prokurorëve zgjodhi vetëm shtatë prokurorë, si: Burim Rustemin, Elizabeta Josifovskan, Lejla Kadriun, Lubomir Laben, Marija Gjorgjevan, Stevço Donevin dhe Fatime Fetain.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI