Maqedoni
Buxheti, përplasje BDI-PDSH
16.10.2015 18:16
Qëndrimet pro dhe kundër kanë karakterizuar edhe punimet e sotme në kuvend mes partive politike për propozim-buxhetin...

PDSH-ja opozitare akuzon BDI-në se me propozim-buxhetin anashkalohen shqiptarët. Partia shqiptare në opozitë propozon që të ketë një kornizë ligjore për ndarje proporcionale të mjeteve buxhetore.
“Është një propozim i PDSh-së që të hartohet një kornizë ligjore, ku do të siguroheshin mekanizmat për ndarjen proporcionale të buxhetit, kjo do të ishte zgjidhja e vetme dhe e pranueshme. Përndryshe, në qoftë se zbatohet dhe vazhdon kjo praktikë e qeverisjes, mund të sjellë turbulenca dhe destabilizim jo vetëm këtu, por edhe më gjerë”- deklaroi Ernard Fejzullahu nga PDSh.
Nga BDI përgjigjen se buxheti nuk mund të ndahet në baza etnike, ndërsa theksoi se janë bërë projekte edhe në anën shqiptare, ndërsa shtuan se buxheti është i balancuar me projekte të cilat i ka paraparë BDI-ja për shqiptarët.
“Buxheti deri diku është proporcional dhe i balancuar në aspekt të investimeve kapitale, me projektet që janë të BDI-së. Me ato projekte BDI në vazhdimësi fiton zgjedhjet si rezultat i këtyre projekteve”- theksoi Rexhail Ismaili nga BDI.
Ndërkohë, pas përfundimit të debatit të përgjithshëm rreth propozim-buxhetit ka filluar shqyrtimi i amendamenteve.
Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, ka propozuar amendamente për bllok dotacione për çerdhe të fëmijëve në Komunë të Likovës dhe Sarajit, por nuk janë pranuar me arsyetimin se për këto çerdhe janë siguruar mjaft mjete.
Për propozim-buxhetin janë të dorëzuara gjithsej 418 amendamente, nga të cilat 235 nga opozita, 178 nga PDSh, 3 nga BDI, një nga deputetja, Roza Topuzova-Kareska, dhe një nga më shumë deputetë.
ERSAN PAJAZITI
