Maqedoni

Bisedimet e Grupit punues, LSDM: Marrëveshja pasive deri në kompletimin e ekipit të Janevës

16.10.2015 18:49

Me kërkesë të LSDM-së, katër partitë politike bashkë me përfaqësues ndërkombëtarë u mblodhën sot për të gjetur zgjidhje për kompletimin e ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva...

Zëdhënësi i LSDM-së, Damjan Mançevski, tha se përfaqësues të LSDM–së në bisedime nuk do të bisedojnë për asnjë temë tjetër derisa Janevës nuk i kompletohet ekipi prej 14 prokurorësh.
 
Nëse nuk arrihet pajtim për këtë pikë, nuk vazhdojmë me bisedimet, thotë Mançevski.
 
“Nuk do të bisedojmë për asnjë temë tjetër derisa nuk zgjidhet ky problem. Kërkojmë nga Këshilli i Prokurorëve Publik urgjentisht të caktojnë seancë dhe të zgjedhin pjesën tjetër të prokurorëve të propozuar nga prokurorja Janeva. Derisa nuk zgjidhet ky problem, Marrëveshja e 2 qershorit dhe 15 korrikut për LSDM-në nuk është aktive”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Damjan Mançevski.
 
Ndërkohë, nga partia e Zaevit nuk do të propozojnë as emra ministrash dhe zëvendësa në Grupin punues, thotë Mançevski.
 
Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së në bisedime thonë të kundërtën, se do të bisedojnë edhe në tema të tjera.
 
Për zhbllokim të bisedimeve do të ndërhyjë edhe komisari për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn.
 
Zëdhënësja e tij, Maja Kocijançiç, paralajmëron ardhjen e Hahn në Shkup, të hënën.
 
“Ju vërtetoj se komisari Hahn të hënën do të vizitojë Shkupin për t’u takuar me palët e përfshira në bisedime. Brukseli po vëzhgon situatën nga afër. Edhe njëherë përsërisim se Komisioni Evropian pret nga partitë që t’i përmbahen afatit të zbatimit të pikave të Marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut”- tha Kocijançiç. 
 
Ardhja e Hahn, sipas zëdhënësit të LSDM-së, Mançevski, nuk është me kërkesën e tyre.
 
Mançevski thotë se faktori ndërkombëtar ndërhyn pasi është i brengosur për mosrespektimin e marrëveshjes politike nga pushtetarët.
 
MERAL ISMAILI