Maqedoni

Konferencë shkencore “Religjioni dhe dhuna”, klerikët me mesazhe paqeje

16.10.2015 18:53

Luftërat aktuale mbeten dukuri e shëmtuar njerëzore, sepse nënkuptojnë keqtrajtimin e njeriut dhe si të tilla nuk guxojnë të bekohen...

Ishte ky mesazhi i cili u dha në kuadër të Konferencës Shkencore Treditore Ndërkombëtare me temë “Religjioni dhe dhuna”, organizuar nga UShT në bashkëpunim me dy universitetet austriake – atë të Vjenës dhe Insbrukut.
 
Dita e parë e Konferencës kryesisht ishte në shenjë të zhvillimeve të dhunshme  në  Lindje së Mesme, ku, sikurse u tha, në emër të fesë po bëhen vrasje e  masakra të shumta.
 
Në konferencë marrin pjesë punonjës shkencorë e përfaqësues të komuniteteve fetare. Kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, tha se të gjitha religjionet në esencën e vet përmbajnë majën e paqes.
 
“Ne, klerikët e feve, jemi më të thirrurit që të predikojmë paqe dhe të ftojmë në të. Në kohë paqe na duket sikur ia arrijmë të shtrijmë ndikim mbi besimtarët tanë, por sapo të shpërthejë ndonjë dhunë apo konflikt, besimtarët na dalin prej dore, apelet tona për qetësi e për paqe sikur ngelin të shurdhër. Çuditërisht, ka ndodhur kur në kohë luftërash kleriku fetar afrohet, ndërsa në kohë paqe rrinë  larg njëri-tjetrit”- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
“Kurrë nuk guxojmë të pajtohemi me luftën dhe nuk guxojmë të jemi indiferentë para njerëzve të cilët pësojnë për shkak të luftës dhe dhunës”- tha përfaqësuesi i komunitetit të krishterë, Kiro Stojanov.
 
“Çdo religjion është mësim për parimin e burimit të dashurisë, mirësisë për atë që është përtej perceptimit tonë njerëzor, të çdo dobësisë, sjelljes dhe gjendjes sonë njerëzore”- theksoi përfaqësuesi i komunitetit ortodoks, Boban Mitevski.
 
Edhe ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, theksoi se shqiptarët janë popull me fat, sepse si popull që i takon shumë besimeve ka arritur të jetoje në paqe dhe harmoni.
 
“Shqiptarët janë popull me fat, dhe ndoshta nga të vetmit shembuj pozitiv në botë që kanë arritur të bashkëjetojnë në një harmoni të paparë me më shumë fe. Shqiptarët kanë treguar edhe një solidaritet dhe humanitet të paparë edhe në komunitetet tjera fetare dhe etnike”- u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Manifestimin e sotëm e përshëndeti edhe nikoqiri i tij, rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, i cili theksoi se procesi i globalizimit në kohën që jetojmë është një thirrje për bashkëpunim mes kombeve.
 
VISAR SADIKI