Botë

Hebron: Ushtria izraelite vret 3 palestinezë

17.10.2015 16:31

Vala e fundit e dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve vazhdoi edhe sot, me vrasjen e tre palestinezëve në tre incidente të veçanta...

Zyrtarët izraelitë thanë se palestinezët u qëlluan për vdekje, pasi u përpoqën të sulmonin izraelitët. Sulmet e së shtunës në Hebron dhe në një postbllok policor në Jeruzalemin Lindor janë më të fundit në një seri sulmesh të palestinezëve, kryesisht therje me thika, në të cilat janë vrarë shtatë izraelitë.

Të paktën 40 palestinezë janë vrarë, kryesisht nga policia dhe ushtria izraelite, gjatë sulmeve dhe protestave.

Presidenti i SHBA-ve Barak Obama ka dënuar dhunën me force ndaj njerëzve të pafajshëm duke shtuar se Izraeli ka të drejtë të ruajë rendin dhe të mbrojë qytetarët e tij nga sulmet me thikë dhe dhuna në rrugë. Ai theksoi se javën e ardhshme do të dërgojë Sekretarin e Shtetit John Kerry në Izrael, për t’u takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Shkallëzimi i dhunës mes palestinezëve dhe hebrenjve filloi gati një muaj më parë. Përhapja e thënieve nëpër lagjet arabe se Izraeli po planifikonte të merrte nën kontroll xhaminë Al-Aksa, një vend i shenjtë i myslimanëve në Jeruzalemin Lindor, kontribuoi në rritjen e nivelit të dhunës. Izraeli ka dislokuar trupa shtesë në rrugët e kësaj zone, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit për shkak të frikës për protesta të reja.