Botë

Mijëra refugjatë hyjnë në Slloveni nga Kroacia

18.10.2015 13:51

Rreth 4 mijë refugjatë, shumica e të cilëve nga Siria, kanë mbërritur deri më tani në Slloveni, sipas njoftimit të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët...

Pjesa më e madhe e tyre synojnë të udhëtojnë drejt Austrisë, Gjermanisë, por edhe në vende të tjera.
 
Ushtria sllovene është në gatishmëri për të ndihmuar policinë në përballimin e këtij fluksi, por nuk do të ndërhyjë deri kur të jetë e nevojshme, bëri të ditur kryeministri Miro Cerar.
 
Ai shtoi se Sllovenia duhet të pranojë emigrantët, për sa kohë Austria dhe Gjermania do t’i mbajnë hapur kufijtë e tyre.
 
Ndërkohë, Hungaria bëri të ditur se kishte mbyllur kufirin me Kroacinë mesnatën e së premtes, për shkak se udhëheqësit e Bashkimit Europian dështuan të binin dakord mbi një plan për ndaljen e këtij fluksi refugjatësh por edhe azilkërkuesish.
 
Muajin e kaluar, Hungaria mbylli edhe kufirin jugor me Serbinë, e cila ishte një nga rrugët tranzite kryesoret gjatë ditëve të para, që refugjatët të mund të mbërrinin në Europën Perëndimore.
 
Të shtunën, qindra refugjatë u hipën autobusëve për të kaluar në Kroaci, nga kufiri i saj me Serbinë në kufirin e saj me Slloveninë.
 
Autoritetet sllovene i kanë regjistruar ata dhe më pas kanë siguruar edhe transportin e tyre për në kufirin austriak.