Gruevski: Nuk do të jemi pengesë në punën e Janevës
Kryeministri Nikolla Gruevsku premtoi se Qeveria dhe partia që drejton ai VMRO-DPMNE nuk do të jenë pengesë në punën e prokurores speciale...

Këtë Gruevski e deklaroi mbrëmë në intervistë për televizionin Kanal 5, ku poashtu theksoi se nuk e frikson puna e Prokures Speciale.
"Me padurim presim që sa më shpejt të fillojë me punë prokurorja speciale publike, sepse e dimë se nuk kemi kurrfarë vepra joligjore dhe duam sa më shpejt që është e mundur të konfirmohet edhe nga ai aspekt interesi ynë është ajo që sa më shpejt të kompletohet dhe të fillojë me punë", tha Gruevski.
Por kryeministrin e shqetësojnë dy gjëra që kanë të bëjnë me punën e Katica Janevës, njëra që Janeva u bëri thirrje prokurorëve që janë zgjedhur të mos japin betim dhe e dyta që e ndryshoi vendimin për të filluar me punë, pasi Janeva siç tha Gruevski, brenda një dite njëher dha deklaratë se do të punojë me shtatë prokurorë, e më pas e ndërroi vendimin e saj dhe tha se nuk do të punojë me shtatë prokurorët derisa nuk zgjidhen të gjithë 14.
"Kjo do të thotë se në ndërkohë dikush ka ndikuar në mendimin e saj dhe prej këtu krijohet rezerva ose çështja e pavarësisë, në mendimin nëse pavarësia i mban vendimet", theksoi kryeministri Gruevski.
GYLTENE SINANI
