Djokovic triumfon edhe në Shangai
Tenisti serb Novak Djokovic fitoi sot turneun Masters të Shangait, duke mundur në finale francezin Jo-Wilfried Tsonga (6-2, 6-4)...

Ky është turneu i pestë Masters 1000 pikësh i këtij sezoni fituar nga numri 1 në botë, i 25-ti në karrierën e tij, një triumf i merituar i tenisit serb, që tregoi epërsi gjatë gjithë këtij turneu, ashtu si edhe në finale.
Djokovic ishte një uragan në këtë finale, duke mos e vënë në diskutim fitoren, një ndeshje që zgjati vetëm 78 minuta. Serbi tregoi edhe një herë se po kalon një moment të shkëlqyer, duke koleksionuar njëri pas tjetrit trofetë.
Humbja e vetme e rëndësishme e serbit këtë sezon është ajo e finales së grand slemit të Roland Garros.
Ndaj Djokovic në finale francezi Tsonga nuk pati asnjë shans të fitojë edhe pse në gjysmëfinale pat eliminuar spanjollin Nadal. Që në setin e parë Djokovic diktoi me lojën e tij, duke u shkëputur 3-0 dhe hipotekuar fitoren me shifrat 6-2.
Edhe në setin e dytë e njëjta pamje, me Djokovic që ka komandën e lojës edhe pse Tsonga reziston disi më shumë.
Serbi fitoi 6-4 dhe ngre lart trofeun e turneut të fundit Masters të këtij sezoni, atij të Shangait. Për serbin ky është suksesi i 9-të sezonal, pas atyre të arritura në Australian Open, Indian Wells, Miami, Montekarlo, Roma, Wimbledon, Us Open, Pekin dhe Shangai dhe i 57-ti në karrierë.