Mali i Zi, policia nis hetimet për përdorimin e dhunës

19.10.2015 12:35

Fronti Demokratik ngriti tenda përpara parlamentit 21 ditë më parë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Milo Gjukanoviç...

Në Mal të Zi, pas protestave, sot që në mëngjes situata raportohet të jetë e qetë dhe pa asnjë lloj incidenti. Partitë e koalicionit qeverisës dhe opozita në Malin e Zi ranë dakord për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të komitetit të sigurisë të parlamentit për të hetuar nëse policia përdori forcë të tepruar në një tubim të opozitës të shtunën në mbrëmje.

Fronti Demokratik ngriti tenda përpara parlamentit 21 ditë më parë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Milo Gjukanoviç.

Mëngjesin e së shtunës, policia hoqi çadrat për të zhbllokuar rrugën kryesore të qytetit, duke bërë që Fronti Demokratik të bënte thirrje për protesta në mbrëmje. Demonstruesit hodhën shishe mbi policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe duke përdorur dhunë mbi protestuesit.

Policia tha se 15 demonstrues u arrestuan dhe katër policë u plagosën. Kryetarja e Parlamentit dhe lideri i Partisë Demokratike Socialiste, një partner i koalicionit në qeveri, u takuan me disa deputetë të opozitës të dielën në mëngjes.