Maqedoni

Seminari “Politikat e BE-së”, Petkov: Anëtarësimi në BE, përgjegjësi e madhe; MPJ: Përvojat e Bullgarisë, të rëndësishme për në BE

19.10.2015 14:13

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një përgjegjësi shumë e madhe dhe Bullgaria është e gatshme të ndihmojë Maqedoninë...

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një përgjegjësi shumë e madhe dhe Bullgaria është e gatshme të ndihmojë Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, ka theksuar ambasadori i Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Petkov, gjatë seminarit me temë “Politikat e BE-së”.
 
Petkov tha se Bullgaria ka përvojë më shumë se 10 vjet dhe në këtë drejtim ka kaluar shumë sfida dhe ka shumëçka për të mësuar dhe për të shpërndarë me Maqedoninë, si vend kandidat.
 
Petkov tha se Maqedonia mundet dhe meriton të jetë anëtare fuqiplotë e BE-së.
 
“Si vend kandidate që jeni, duhet ta dini se të jesh anëtare e BE-së është përgjegjësi dhe duhet të keni njohuri të mëdha, sepse procedurat janë të vështira dhe të komplikuara. Duhet të dini shumëçka, duhet të luftoni për të drejtat e juaja, së paku ju them nga përvoja bullgare. Mos hezitoni t’i shfrytëzoni të gjitha kapacitetet e juaja dhe unë këtu ju inkurajoj të punoni në këtë drejtim”- deklaroi ambasadori i Bulgarisë në Maqedoni, Ivan Petkov.
 
Nga MPJ, këshillat dhe përvojat e Bullgarisë si vend anëtare e BE-së i shohin si mjaft të rëndësishme në procesin integrues.
 
“Këshillat diplomatike janë një aspekt i rëndësishëm në punën diplomatike dhe një kusht i rëndësishëm i shërbimeve diplomatike. Në ministrinë tonë ne mundohemi t’i motivojmë diplomatët e ri t’i ndjekin seminaret dhe trajnimet në fusha të ndryshme, që kanë të bëjnë me punën e tyre. Si shtet anëtare e BE-së, përvojat e Bullgarisë ndihmojnë shumë në integrimin tonë në BE, punët, procedurat dhe rruga në tërësi deri te integrimi”- tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Dragana Kiprijanovska.
 
Bashkëpunimi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë shkon mirë në të gjitha fushat, si politike, në fushën e ekonomisë, tregtisë, shkencës dhe turizmit, ndërsa një prej fushave ku ka më shumë bashkëpunim është fusha e integrimit evropian, u tha me këtë rast.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI