20 vjet nga vdekja e Remzi Hoxhës, peticion dhe protesta për zbardhjen e rastit

19.10.2015 15:33

Protesta me kërkesë për ndriçimin e fatit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Remzi Hoxhës, i zhdukur 20 vite më parë, u mbajtën në Shkup...

Familjarët dhe më të afërmit e tij në vigjilje të përvjetorit nga vdekja e tij, dërguan peticion deri te Ambasada e Shqipërisë në Shkup, përmes të cilit kërkojnë nga organet shtetërore të Shqipërisë zbardhjen e rastit dhe gjetjen e eshtrave të tij.

“Ne  kërkojmë  nga institucionet relavante të Shqipërisë, siç janë Parlamenti i Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Interpoli dhe të gjitha mekanizmat tjera shtetërore të futen në funksion menjëherë dhe fati i familjarit tonë të zhdukur të zbardhet sa më parë dhe ne të gjejmë eshtrat e tij dhe të bëjmë një varr. Me mosangazhimin tuaj, familjarin  tonë e vritni për herë të dytë dhe dhimbja për familjen tonë vazhdon të rritet edhe më shumë. Kapeni Ilir Kumbaron dhe të merr fund e gjithë kjo histori e dhimbshme për familjen tonë dhe një histori e njollë e zezë për Shqipërinë”- deklaroi familjari i Remzi Hoxhës, Nexhmedin Hoxha.

Remzi Hoxha u vra 20 vite më parë, më datën 21 tetor të vitit 1995.

Me origjinë  nga Kaçaniku i Kosovës, por i lindur në Shkup, i njohur mes tjerash edhe si veprimtar dhe afarist i suksesshëm.

Plot 20 vjet kufoma e tij rezulton si e zhdukur, ndërsa vrasja e tij ndodhi në territorin e Shqipërisë.

Remzi Hoxha ishte i njohur për kontributin e tij të dhënë në favor të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, andaj familjarët e tij tashmë vite me radhë dyshojnë se ai ishte i ekzekutuar  nga Shërbimi Sekret i asaj kohe.

Protesta do të mbahen edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, në Prishtinë dhe Tiranë. (Rexhep Qamili, TVM2)