Botë

Atifete Jahjaga fton liderët në takime të ndara; Opozita: Do t’i dërgojmë presidentes kërkesat e opozitës

19.10.2015 16:04

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thirrur për të martën në takim liderët e partive parlamentare për t’u konsultuar rreth zgjidhjes së krizës politike...

Jahjaga fillimisht ka ftuar liderët për takime ndaras, me qëllim që më pas të realizohet një takim i përbashkët. 
 
“Mandati im si presidente e vendit është që të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti. Mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës që të pranojë këtë ftesë për dialog, për mospajtimet në këto javët e fundit”- deklaroi presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
 
Jahjaga, po ashtu tha se takimin e ka thirrur pas konsultimeve me kryeministrin  dhe  kryetarin  e  Kuvendit, ndërsa duke vlerësuar se veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe  jashtë  tyre  të  ditëve  të  fundit  janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë  konsensusin demokratik në Kosovë. 
 
Ndërkohë, partitë opozitare, VV, AAK dhe Nisma, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes, Atifete Jahjaga. Lideri i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se me gjasë do të marrin pjesë në takimin e parë i cili do të jetë vetëm me presidenten, për t’i dorëzuar asaj kërkesën që të tërhiqen nënshkrimet.
 
“Kërkesat e opozitës së bashkuar janë jashtëzakonisht të qarta, në vend që të angazhohemi siç thuhet për dalje nga kriza, ne daljen nga kriza e shohim shumë të qartë dhe shumë të lehtë, që Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri të tërhiqet nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi”- tha kryetari i VV-së, Visar Ymeri.
 
Po ashtu, Ymeri bëri të ditur se te presidentja do të shkojnë bashkërisht përfaqësuesit e tri partive opozitare.
 
NAIM SINANI