Botë

Nënë Tereza, 12 vjet nga lumturimi

19.10.2015 16:21

Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të 2003-it nga Papa Gjon Pali i Dytë, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfrit e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi krejt jetën...

Papa Gjon Pali i II, i cili e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, e cila vdiq në shtator 1997, në moshën 87 vjeçare, shprehu dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren dhe arriti deri në etapën e parafundit, lumturimin.
 
Pikërisht kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga shteti shqiptar. 
 
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Në moshën 18 vjeçare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore dhe ju bashkua misionit “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Në dhjetor u nis për në Indi. 
 
Duke filluar nga viti 1980 deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. 
 
Në çastin e marrjes së Çmimit “Nobel” më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. 
 
Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë.
 
Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besimeve të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. 
 
Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga Qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënë Terezës, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevojë për zgjatjen e një dore.
 
Tashmë 19 nëntori simbolizon ditën për më shume lutje, besim e dashuri.
 
Kjo datë është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare.
 
REJHAN BUSHI-METAJ