Maqedoni

BFI me transport për refugjatët, taksistët pengojnë funksionimin e linjës falas

19.10.2015 16:52

Bashkësia Fetare Islame nëpërmjet Organizatës Humanitare “Hilal”, ka filluar transportin falas për refugjatët e Lindjes së Mesme që transitojnë nëpër Maqedoni...

Dje ka filluar punë autobusi i parë i cili transporton refugjatët pa pagesë. Por, puna e autobusit falas nuk ka kaluar pa probleme.
 
Taksistët dhe shoferët e autobusëve me pagesë, të cilët transportin e emigrantëve e kanë kthyer në një punë mjaft fitimprurëse muajve të fundit, penguan refugjatët të hipin në autobus.
 
Kur migrantët kuptuan se bëhet fjalë për autobus falas të BFI-së, ata u rreshtuan në mes të taksistëve dhe punëtorëve të O.H. “Hilal” dhe krijuan një mur mbrojtës.
 
Më pas të gjithë që kishin mbi një javë që prisnin për transport, u futën në autobus dhe vazhduan rrugëtimin e tyre.
 
Nga OJQ “Hilal” thonë se kanë kaluar përmes shumë peripecive për të marrë leje për transportin falas dhe nuk e kuptojnë se si dikush për përfitime çasti mund të pengojnë këtë vepër humane.
 
“Së pari nuk merrnim asnjë përgjigje nga organet kompetente, as pozitive as negative. Insistuam disa herë dhe në fund morëm përgjigjen pozitive dhe na u tha që mundeni t’i bartni migrantët falas. Ne menjëherë dërguam autobusët në Gjevgjeli dhe më datën 18 filluam me bartjen e migrantëve. Njerëzit bëjnë biznese të ndryshme, e ne si OH morëm pjesë atje dhe ishte e papritur për ta, sepse u prisheshin bizneset atyre që mundohen të përfitojnë në këtë tragjedi dhe hasëm në bllokadë. Ne dhamë lajmin në kamp se ka autobusë falas. Kur dëgjuan migrantët, ishte një moment shumë prekës dhe nuk mundej t’i ndalë askush”- deklaroi kryetari i O.H. “Hilal”, Mustafa Dauti. 
 
Janë dy autobusë që në orare të caktuara do të bartin falas refugjatët nga kampi në Gjevgjeli deri në kufirin në Tabanoc.
 
Përveç transportit falas për refugjatët, BFI vazhdon të organizojë edhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në ushqime dhe veshmbathje, për t’ua bërë sa më të lehtë atyre kalimin transit përmes Maqedonisë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI