Maqedoni
Gostivar, projekte infrastrukturore me fonde evropiane
19.10.2015 17:03
Shtegu eko-rekreativ nga Gostivari deri në fshatin Vërtokë, si dhe rrugica për turizëm malor dhe rekreativ në Malin e Thatë dhe në Malin Sharr...
Shtegu eko-rekreativ nga Gostivari deri në fshatin Vërtokë, si dhe rrugica për turizëm malor dhe rekreativ në Malin e Thatë dhe në Malin Sharr janë dy nga projektet e financuara nga IPA Fondet e Unionit Evropian (UE), të cilët sot i promovoi Komuna e Gostivarit.
Promovimi u bë në parkun e madh të qytetit, ku dhe fillon shtegu eko-rekreativ nga Gostivari deri në Vërtokë, ndërsa të pranishëm ishin kryetari, Nevzat Bejta, përfaqësuesi i Delegacionit të Unionit Evropian, Jaromir Levicek, ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, dhe funksionarë të tjerë.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se këto projekte janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Gostivarit, për shkak se do të kenë mundësi të ecin në natyrë me shtigjet e përshtatura për këmbësorë.
Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, theksoi se Maqedonia deri tani ka realizuar 6 projekte me Republikën e Kosovës, me vlerë prej 2.2 milion euro, dhe me Shqipërinë, mbi 50 projekte me fond prej 7 milion euro.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, theksoi se Komuna që ai drejton dhe Komuna e Gostivarit me sukses realizuan projektin “Turizmi, derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar”.
Për projektin për zhvillim të prodhimeve të integruara turistike për rritje të qëndrueshme ekonomike në regjionet e Gostivarit dhe Korçës u siguruan 275.000 euro, ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e shtegut është 187.000 euro.
Mjetet e ngelura me vlerë prej 88 mijë euro do të shfrytëzohen për përgatitjen e dy studimeve, edhe atë studimi për zhvillimin e turizmit në territorin e Komunës së Gostivarit, si dhe studimi për bio-diversitetin e lumit Vardar në territorin e Komunës së Gostivarit.
Projekti “Turizmi, derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar”, që realizohet nga Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Komunën e Dragashit, përshin vlerën prej 244.698,00 euro, 70% e mjeteve financiare sigurohen nga Programi IPA, bashkëpunim ndërkufitar nga ana e Delegacionit Evropian dhe 30% pjesë e kofinancimit nga ana e Komunës dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.
LULZIM HAZIRI
