Botë
Slloveni, nuk lejohet hyrja e 1000 emigrantëve nga Kroacia
19.10.2015 17:18
Autoritetet sllovene kanë deklaruar se nuk kanë lejuar hyrjen e më tepër se 1 mijë emigrantëve, që kanë ardhur nga Kroacia...

Autoritetet sllovene kanë deklaruar se nuk kanë lejuar hyrjen e më tepër se 1 mijë emigrantëve, që kanë ardhur nga Kroacia, pasi ishte plotësuar kuota ditore.
Një tren me afro 1,800 vetë ka arritur gjatë natës, por vetëm 500 prej tyre “që kishin më së shumti nevojë” janë lejuar të hyjnë në Slloveni, ka thënë sot zëdhënësi i Policisë së Sllovenisë, Bojan Kitel.
Kroacia kishte kërkuar që Sllovenia t’i pranojë 5 mijë emigrantë në ditë, por Sllovenia këmbëngul se do të lejojë hyrjen e gjysmës së këtij numri të emigrantëve. Kjo ka shkaktuar grumbullim të emigrantëve në Kroaci dhe Serbi.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) ka njoftuar sot se më se 10 mijë emigrantë aktualisht janë të bllokuar në Serbi. Zëdhënësja e UNHCR-së, Melita Sunjiq, ka tërhequr vërejtjen për mungesa të ndihmave për emigrantët e bllokuar në kufirin Serbi–Kroaci, duke thënë se “ka mungesë të ushqimit, batanijeve dhe gjërave tjera të nevojshme”.
