Kerri: Të ruhet status quoja në Jerusalem
Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, ka deklaruar se propozimi për prezencën ndërkombëtare në Jerusalem nuk është i nevojshëm...

Ky propozim ka ardhur pas shpërthimit të dhunës mes palestinezëve dhe izraelitëve.
Në vend të kësaj, ka thënë Kerri, ajo që nevojitet është qartësi mbi premtimet nga ana e Izraelit për të ruajtur status quo-në në kompleksin e nderuar nga hebrenjtë të njohur si ”Mali i Tempullit” dhe atë të xhamisë “Al-Aksa”, simboli i tretë i shenjtë i Islamit dhe një simbol i rëndësishëm kombëtar për palestinezët.
“Ne nuk parashikojmë ndonjë ndryshim, por as Izraeli nuk parashikon”- u ka thënë Kerri gazetarëve në një konferencë për media në Madrid të Spanjës.
Franca ka propozuar në Kombet e Bashkuara që të ketë prezencë ndërkombëtarë në Jerusalem, për të siguruar status qou-në në këtë pjesë ku hebrenjtë lejohen ta vizitojnë, por jo edhe të luten.
Sekretari Kerri ka thënë se jo vetëm ShBA-ja dhe Izraeli kundërshtojnë një veprim të tillë, po edhe Jordania, e cila zbaton marrëveshjen për këtë pjesë.
