Maqedoni

Kodi Zgjedhor në Kuvend në paketë me propozim-ligjet e tjera

19.10.2015 17:57

Edhe pse bisedimet e grupeve të punës kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm...

Edhe pse bisedimet e grupeve të punës kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, palët ende kanë mosmarrëveshje të mëdha në shumë çështje të cilat pritet të tejkalohen gjatë takimeve të sotme të liderëve me eurokomisionerin, Johanes Han.
 
Ndërmjetësi Vanhojt tha sot në mëngjes se bashkësia ndërkombëtare po përpiqet të gjejë një zgjidhje që do të kënaqte të gjitha palët.
 
Eurokomisioneri Hahn, sipas tij, ka ardhur për të parë situatën nga afër.  
 
“Punojmë çdo ditë për të arritur përparim në bisedime. Mund të them se punojmë edhe gjatë orëve të vona të natës. Ne duhet patjetër të arrijmë përparim në këtë shtet. Gjithmonë është në interes që njerëzit të vijnë e ta shohin situatën me sytë e tyre e të flasin me njerëzit për të formuar mendimin vetanak”- deklaroi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhojt.
 
Tashmë është dakorduar vetëm Kodi Zgjedhor, me të cilin parashikohet bashkimi i 3 njësive zgjedhore në diasporë në një njësi të vetme dhe pragu minimal për zgjedhjen e një deputeti jashtë vendit, kompetencat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili do të përbëhet prej 9 anëtarëve.
 
Me ndryshimet e reja rregullohet mekanizmi që u mundëson anëtarëve shqiptarë të KShZ-së bllokimin e vendimeve që mund të prekin interesin e bashkësive etnike në vend.
 
Në Nenin 10–Pika 34 G, thuhet se në raste kur propozim-vendimi prek interesat e bashkësive joshumicë, para vendosjes në votim, secili anëtar i KShZ-së i cili i përket bashkësive joshumicë ka të drejtë të kërkojë që KShZ-ja të vendosë me konsensus për atë propozim-vendim.
 
Edhe rregullorja e punës së KShZ-së nuk mund të miratohet pa konsensus paraprak të 4 partive më të mëdha në Kuvend.
 
Me ndryshimet e reja rregullohet edhe mënyra e pastrimit të Listës Zgjedhore, që do të precizohet edhe me rregullore shtesë.
 
Kodi Zgjedhor parashikon gjithashtu që 40% e kandidatëve për deputetë të jenë femra.
 
Por, edhe pse ishte paralajmëruar për sot, Kodi Zgjedhor nuk ka dalë para deputetëve sot.
 
Kodi do të shqyrtohet së pari në takimin e përbashkët me komisarin Han, para se të dorëzohet në Kuvend.
 
Nesër është afati i fundit edhe për zgjedhjen e ministrave të rinj. 
 
ERSAN PAJAZITI