Maqedoni

Komisioni mbikëqyrës do vizitojë DSK-në

19.10.2015 18:31

Anëtarët e Komisioni për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim nga radhët e VMRO-DPMNE-së...

Anëtarët e Komisioni për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ata të LSDM-së sërish u përplasën rreth punës së këtij trupi dhe mundësisë për të vizituar këto dy institucione.
 
VMRO-DPMNE insiston që Komisioni Parlamentar të vizitojnë DSK-në më 26 tetor, ndërkaq anëtarët e LSDM-së vlerësojnë se Komisioni nuk i ka marrë zyrtarisht procedurat dhe protokollet për mënyrën e funksionimit të DSK-së, prandaj kërkojnë më shumë kohë për t’u përgatit. Mirëpo, Pavle Sazdov nga VMRO insistonte që kjo pikë të futet në rend dite, madje si pikë e parë.
 
“Unë personalisht ndjehem mjaft kompetent, që të shkoj dhe të bëj mbikëqyrje. Nëse ju kolegë të opozitës nuk ndjeheni kompetentë, atëherë propozoni deputetë që janë kompetentë, nuk kemi nevojë për metodologji. Nëse keni dashur që të ketë metodologji, nëntë vjet jeni në opozitë pse nuk keni miratuar”- tha Pavle Sazdov nga VMRO-DPMNE.
 
“Ju jeni gati të shkoni në Drejtori dhe të pini kafe, unë nuk jam. Nuk jam i gatshëm, pasi pritjet e qytetarëve janë reale që të marrin raport relevant lidhur me funksionimin e Drejtorisë”- theksoi Hari Llokvenec nga LSDM.
 
Në Komisionin për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim nuk morën pjesë asnjëri nga anëtarët shqiptarë dhe as zëvendësit e tyre.
 
Pas miratimit të rendit të ditës, ku duhet të shqyrtohet Raporti vjetor për punën e Agjencisë për Zbulim në vitin 2014; Raporti për punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në vitin 2014 dhe Programi për punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim për vitin 2015, Komisioni i vazhdoi punimet pas dyerve të mbyllura.
 
SHPËTIM NUREDINI