Maqedoni
Përkujtohet 9 vjetori i rënies së Isa Likës
19.10.2015 18:43
Me një minutë heshtje ka filluar Akademia Përkujtimore me rastin e 9 vjetorit të rënies së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare e Kombëtare, Isa Likës-komandat “Iliri”...

Miq, familjarë dhe bashkëluftëtarë të tij kanë bërë homazhe te varri i komandant Ilirit, duke përkujtuar atë dhe gjithë shokët e tij që dhanë jetën në altarin e lirisë.
“Të flasësh sot është e pamundur që të mos kujtohet ai mëngjes i para disa viteve kur ne e morëm këtë lajm kaq të dhimbshëm. Ajo ditë ishte vdekje e të gjithë ne, nga një pjesë e zemrës sonë. Po në të njëjtën kohë nuk duhet harruar faktin se besimin në të ardhmen që kanë pasur të gjithë ata dhe udhëhequr dhe kanë qenë pjesë e luftës së vitit 2001, është ai besim që qëndron në ne dhe duhet të qëndrojë në punën tonë”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Shumë gjëra edhe pas këtyre luftërave nuk kanë shkuar në atë drejtim, apo ashtu siç ishte ideali jonë gjatë vitit 2001. Ende një pjesë e popullit tonë ndjehet e pabarabartë dhe ne që jemi në mesin e të gjallëve na ngel që atë barazi ta sigurojmë në tryezat e bisedimeve, pasi luftërat për shqiptarët në Ballkan kanë mbaruar. Prandaj, të gjithë, intelektualë, politicientë dhe ne bashkë luftëtarë duhet të angazhohemi me tërë qenien tonë që ajo barazi të ndjehet tek çdo qytetarë shqiptarë edhe në R. e Maqedonisë”- tha nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti.
“Gjatë gjithë kohës, në moshën 17 vjeçare u përkushtua për çështjen e atdheut, për bashkimin e kombit, për një flamur të vetëm të shqiptarëve, për një atdhe të pandarë ndaj shqiptarëve në të gjithë hapësirën e shqiptarëve. Ai ngadhënjeu, i sfidoi të gjithë armiqtë, kundërshtarët dhe të gjithë ata të cilët mundoheshin të na shfarosnin”- theksoi kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
Isa Lika ka luftuar edhe për çlirim e Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës i ka dhënë edhe statusin e veteranit të luftës. Në shenjë mirënjohje për dëshmorët e kombit u vendosën edhe kurora lulesh mbi varret e dëshmorëve të kombit në kompleksin e dëshmorëve, në qytetin e Tetovës.
VISAR SADIKI
