Opozita në Kosovë takon presidenten, nuk pranon takim të përbashkët me pushtetin
Liderët e subjekteve opozitare në Kosovë kanë realizuar takimin me presidenten, Atifete Jahjaga...

Liderët e subjekteve opozitare në Kosovë kanë realizuar takimin me presidenten, Atifete Jahjaga, të cilës ia kanë ripërsëritur qëndrimet se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e vijës kufitare. Po ashtu ata refuzojnë të ulën në një tryezë me pushtetin.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pas takimit tha se ia kanë bërë të qartë presidentes se nuk tërheqin nga qëndrimet e tyre.
“Në takim me presidenten e Republikës së Kosovës, ne ia kemi bërë të qarta kërkesat tona, që janë: marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, sepse janë marrëveshje të cilat domosdoshmërisht duhet të hidhen poshtë dhe janë marrëveshje të cilat nuk do të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës. Këto dy marrëveshje e rrënojnë, e falimentojnë edhe Republikën dhe e cenojnë edhe territorin e Republikës dhe si të tilla janë të papranueshme për Kosovën. Ne si opozitë e bashkuar jemi të vendosur në kërkesat tona dhe jemi të vendosur në protestën tonë për ta pamundësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve në territorin dhe institucionet e Kosovës”- deklaroi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.
Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se opozita ia ka përcjellë presidentes edhe qëndrimin se do të ishte gabim i madh nëse thirret seancë e Kuvendit pa ndonjë marrëveshje mes palëve, dhe se nëse nuk ka marrëveshje situata mund të shkojë drejt përshkallëzimit.
“Është gabim i madh që të insistohet të thirret seanca e Parlamentit, derisa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht është gabim shumë i madh i Qeverisë përdorimi i Policisë dhe Prokurorisë me e disiplinë të opozitën. Pra, është e pakuptimtë të ndërmerret një represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur dhe në të njëjtën kohë të insistohet të thirret seancë. I kemi shpjeguar edhe presidentes se një vendim për të thirrur seancë do të jetë vendim për përshkallëzim të gjendjes në vend”- tha Ramush Haradinaj nga AAK.
Në vijë të njëjtë me dy liderët tjerë opozitarë ishte edhe kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj.
Takimi i liderëve opozitarë me presidenten, Atifete Jahjaga, u realizua në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës politike, respektivisht bllokadës së Kuvendit të Kosovës. Dje Jahjaga takoi edhe liderët e dy partive në pushtet, liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, dhe atë të LDK-së, Isa Mustafën. (Gyltene Sinani, TVM2)
