Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve, edhe sot nuk kompletohet ekipi i prokurores speciale
20.10.2015 16:20
Këshilli i Prokurorëve me arsye të paqarta ka anuluar seancën e sotme, në të cilën pritej të kompletohet ekipi i propozuar nga prokurorja speciale, Katica Janeva...

Këshilli i Prokurorëve me arsye të paqarta ka anuluar seancën e sotme, në të cilën pritej të kompletohet ekipi i propozuar nga prokurorja speciale, Katica Janeva, dhe zgjedhja edhe e 7 prokurorëve të tjerë që do të hetojnë materialet nga përgjimet e publikuara nga opozita.
Mëngjesin e sotëm kur pritej të fillojë seanca, gazetarët u lutën të lëshojnë sallën, pasi që seanca për diskutimin rreth zgjedhjes së prokurorëve të tjerë do të mbahet gjatë ditës së nesërme.
Këshilli i Prokurorëve tanimë posedon shkresën e Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurores speciale, Katica Janeva, me të cilën kërkohet votimi edhe i pjesës tjetër të ekipit.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, dje deklaroi se varët nga anëtarët e Këshillit nëse do të votojnë zgjedhjen e të gjithë prokurorëve, ndërkaq përsëriti se ekipi prej shtatë prokurorëve është i mjaftueshëm për fillimin e hetimeve për përgjimet e publikuara nga opozita.
Shtatë prokurorët e përzgjedhur më parë nga Këshilli i Prokurorëve morën parasysh thirrjen e prokurores speciale, Janeva, dhe gjatë ditës së djeshme nuk dhanë betimin solemn para Këshillit të Prokurorëve pa zgjedhjen edhe të shtatë prokurorëve të tjerë.
Moszgjedhja e të gjithë prokurorëve të propozuar nga prokurorja speciale, sipas Janevës është shkelje e Ligjit për prokurorë specialë, me këtë edhe mosrespektim i Marrëveshjes së Przhinës.
Lençe Ristoska, Artan Ajro, Trajçe Pelivanov, Darko Jakimovski, Snezhana Bundalevska, Gavrill Bubevski dhe Lile Stefanovska janë shtatë prokurorët të cilët akoma presin zgjedhjen nga Këshilli i Prokurorëve, ndërkaq Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska, Lejla Kadriu, Lubomir Lape, Marija Gjorgjeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai morën dritë jeshile nga Këshilli i Prokurorëve që të jenë pjesë e ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
