Botë

Dresden, përleshje mes grupeve, protesta pro dhe kundër emigrantëve

20.10.2015 16:33

Mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit të Dresdenit në Gjermani me rastin e një vjetorit të themelimit të “Pegidas”, grupit anti islamizimit të Evropës që kundërshton fort emigracionin...

Të mbledhur në afërsi të katedrales së qytetit, me flamuj dhe pankarta në duar, ata kritikuan politikat e Qeverisë gjermane për refugjatët.
 
Lideri i “Pegidas”, Lutz Bachmann, deklaroi se populli gjerman është i kërcënuar me vdekje, se ka sulme nëpër shtëpi dhe makina, si pasojë e klandestinëve të mbërritur në vend.
 
“Politikanët po përpiqen të na mbajnë gojën mbyllur, por ne do të triumfojmë”- tha ai, teksa turma nisi të brohorasë: “Ne jemi populli!”.
 
Një slogan ky i famshëm edhe gjatë protestave para rënies së murit të Berlinit. Ashtu siç ndodh zakonisht me protestat e “Pegidas”, 10 mijë protestuesve të kësaj lëvizje i janë përgjigjur me kundërprotestë qindra të tjerë të cilët mbështesin politikat për emigrantët.
 
Ata mbanin pankarta “Stop racizmit dhe mirë se vini emigrantë”. Edhe pse protestat ishin të monitoruara në maksimum, grupet u përleshën me njëri-tjetrin, duke shkaktuar tensione dhe trazira.
 
Kohët e fundit nervozizmi është shtuar në të gjithë Gjermaninë, teksa autoritetet kanë deklaruar se presin rreth 800 mijë klandestinë këtë vit.
 
BELINDA KOKA-ADEMI