Maqedoni
PPD shënon 25 vjetorin, M. e Ohrit jofunksionale, të gjendet alternativë
20.10.2015 16:50
Marrëveshja e Ohrit më nuk mund të funksionojë, andaj duhet të gjendet ndonjë alternativë tjetër apo mekanizëm me të cilin do të mbrohen interesat e komunitetit shqiptar në Maqedoni...

Ky konstatim u dha në debatin e organizuar në temë "Maqedonia e Post-Ohrit: unitarizim, regjionalizim, federalizim”, që u organizua me rastin e 25 vjetorit të themelimit të PPD-së.
Kryetari i PPD-së, Nexhat Bexheti, për tejkalimin e krizës aktuale politike në vend dhe ndërtimin e një shoqërie multietnike propozon ndryshimin e rregullimit shoqëror të shtetit.
Gjithnjë sipas tij, federalizimi i Maqedonisë do të mundësonte një barazi më të plotë të qytetarëve.
“Marrëveshja e Ohrit nuk ka funksionuar dhe nuk e di a do të mund të funksionojë më tutje. Ne tash duhet të kërkojmë alternativa të reja. Kërkesa e PPD-së është që ne kërkojmë dhe angazhohemi që të bëhet federalizimi i shtetit, ose ndonjë barazi tjetër e cila do t’i nivelizojë qytetarët shqiptarë me gjithë qytetarët tjerë”- deklaroi kryetari i PPD-së, Nexhat Bexheti.
Anëtari i vjetër i kësaj partie, Ismet Ramadani, theksoi se partia e PPD-së është angazhuar në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve.
Ndërsa theksoi se fajtori më i madh për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit e ka qeveria aktuale, në krye me Nikolla Gruevskin.
“Është një e vërtetë e madhe që pala maqedonase, sidomos ky kryeministër Gruevski dhe VMRO, ka përdorur të gjitha mundësitë për të mos e realizuar Marrëveshjen kornizë të Ohrit, bile mos me i dhënë edhe përmbajte dhe lehtësim asaj, ndërsa partia BDI është treguar shumë inferiore, e dobët në kuptimin e presionit dhe dijes për të implementuar Marrëveshjen kornizë të Ohrit”- tha Ismet Ramadani nga PPD.
Sipas Frçkovskit, Marrëveshja e Ohrit nuk mund të ndryshohet lehtë.
“Nuk ka problem në Marrëveshjen e Ohrit, nëse partitë politikisht merren vesh se njëri prej tre funksioneve kryesore të jetë shqiptar, apo të marrëveshjeve tjera mes partive politike. Nga ana tjetër hapja e çështjeve të mëdha, si reforma apo ndryshim i Marrëveshjes së Ohrit, çdoherë është alibi për mos t’u bërë asgjë”- theksoi profesori universitar, Ljubomir Frçkovski.
Në debatin e sotëm morën pjesë fytyra të njohura politike, analistë, si dhe ish-funksionarë të PPD-së.
ERSAN PAJAZITI
